U.d. drejtori 'në pushim', zyrtares i pamundësohet aplikimi për pozitën e drejtorit të Agjencisë së barnave

Zyrtarja e Lartë Shqyrtuese në Departamentin e Autorizim Marketingut në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Sulltane Havolli po pretendon se Agjencia ku punon aktualisht nuk është duke ia lëshuar një dëshmi që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj.

Dëshmia se nuk ka në fuqi masë disiplinore është njëra nga dokumentet e nevojshme që zyrtarja Havolli të aplikojë në konkursin për drejtor të AKPPM-së, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë më 10.07.2024.

Bazuar në afatin për të aplikuar në konkursin për drejtor të AKPPM-së, Havolli ka kohë të aplikojë edhe dy ditë, ndërsa ajo e ka kërkuar në AKPPM dy herë dëshminë se nuk ka në fuqi masë disiplinore.

Tetë ditë para se të hapej konkursi për drejtor të AKPPM-së, Havolli është proceduar në komision disiplinor për disa shkelje ligjore që pretendohet se i ka bërë në AKPPM nga viti 2023. Ndërsa, më 03.07.2024 është anuluar procedura e komisionit disiplinor ndaj Havollit deri në një afat të pacaktuar përmes një njoftimi të zëvendëskryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Sejdë Tolaj.

KALLXO.com e ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale lidhur me pretendimet e Havollit se nuk i është lëshuar ende dëshmia që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj dhe për shkeljet ligjore që pretendohet se i ka bërë në AKPPM.

Pavarësisht afatit të konkursit për drejtor të AKPPM-së, vet ky institucion ka vlerësuar që ta presin ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut, Bashkim Sadiku që t’iu përgjigjen pyetjeve të KALLXO.com.

“Ju informojmë se aktualisht gjendet në pushim vjetor mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i cili e ka proceduar në komision disiplinor znj. Sulltane Havolli, bazuar në shkeljet ligjore. Në momentin e kthimit nga pushimi vjetor do të ua dërgojmë përgjigjet në pyetjet e dërguara nga ana e juaj” – thuhet në përgjigjen e AKPPM-së, më 06.08.2024.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur lidhur me pretendimet që Sulltane Havollit nuk po i lëshohet dëshmia që nuk ka në fuqi masë disiplinore, por as në lidhje me konkursin për drejtor të AKPPM-së.

Sulltane Havolli përveç që punon në AKPPM, ajo është edhe anëtare në Komisionin për përcaktimin e çmimeve për produktet medicinale në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ka apo s’ka në fuqi masë disiplinore Sulltane Havolli në AKPPM?

Sipas një vërtetimi të lëshuar më 15.04.2024 nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, zyrtarja e Lartë Shqyrtuese në Departamentin e Autorizim Marketingut në këtë Agjenci, Sulltane Havolli nuk është ndëshkuar me ndonjë masë disiplinore që nuk është shuar ende.

Por, ky vërtetim i datës 15.04.2024 nuk po i kryen punë Sulltane Havollit që të aplikojë në konkursin për drejtor të AKPPM-së.

konkursin për drejtor të AKPPM-së të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 10.07.2024 në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, për të punësuarit në institucione publike kërkohet dëshmi që nuk ka në fuqi masë disiplinore për shkelje të rëndë në institucion publik, por që dokumenti të mos jetë më i vjetër se data e publikimit të konkursit.

Për dallim nga konkursi për drejtor të AKPPM-së të datës 10.07.2024, në konkursin për drejtor të këtij institucioni të datës 28.08.2023, ishte kërkuar dëshmi që nuk ka një masë disiplinore për largim nga pozita e zyrtarit publik në pesë vitet e fundit dhe nuk ishte përcaktuar kohëzgjatja se sa i vjetër mund të jetë ky dokument.

Pavarësisht interesimit të KALLXO.com se pse ka ndodhur ky ndryshim në kërkimin e dëshmisë për masë disiplinore të kandidatit në dy konkurset për të njëjtën pozitë në AKPPM, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë sqarimin e saj.

Zyrtarja Havolli ia ka prezantuar ekipit të KALLXO.com dy kërkesa përmes së cilave i ka kërkuar Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, më 17.07.2024 dhe 29.07.2024, që ta pajisin me dëshminë se nuk ka në fuqi masë disiplinore.

Pasi ka kaluar pothuajse një ditë që KALLXO.com është interesuar për të kuptuar nga AKPPM se a janë përgjigjur ndaj kërkesave të zyrtares Havolli për t’u pajisur me dëshminë se nuk ka në fuqi masë disiplinore, AKPPM i ka dërguar Havollit një përgjigje në kërkesën e saj të datës 17.07.2024 dhe ka nxjerrë një vendim që është marrë më 06.08.2024.

Në këtë vendim që KALLXO.com e ka siguruar thuhet se zëvendëskryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Sejdë Tolaj i ka aprovuar qasje në dokumente publike Havollit lidhur me kërkesën e datës 29.07.2024 për qasje në dokumente publike, si dhe kërkohet t’i dërgohet një kopje e saktë në formë të shtypur e masës së ndërmarrë nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë për procedim në komision disiplinor bazuar në shkeljet ligjore që pretendohet se i ka bërë Havolli në AKPPM.

“Bazuar në kërkesën tuaj, gjatë shqyrtimit kemi konstatuar se ju jeni subjekt i procedurave disiplinore të inicuar nga mbikëqyrësi juaj me datë 02.07.2024 për shkelje të rënda disiplinore” – thuhet në vendimin e AKPPM-së të datës 06.08.2024.

Edhe pas këtij vendimi të AKPPM-së të datës 06.08.2024, Havolli ka deklaruar se nuk e ka pranuar nga AKPPM dëshminë se nuk ka në fuqi masë disiplinore.

Ndërsa, para këtij vendimi të datës 06.08.2024 të AKPPM, Havolli ka pranuar një përgjigje nga ushtruesja e detyrës së menaxheres së personelit në AKPPM në kërkesën e saj të parë për ta pajisur me dëshminë se nuk ka në fuqi masë disiplinore të datës 17.07.2024.

Në përgjigjen e u.d. menaxheres së personelit në AKPPM, Havollit i është ekzekutuar kërkesa e vendimit të zëvendëskryeshefi ekzekutiv të AKPPM-së, Sejdë Tolaj që t’i dërgohet një kopje e masës së ndërmarrë nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë për procedim në komision disiplinor, Bashkim Sadikut.

Procedimi në komision disiplinor në AKPPM i Sulltane Havollit

Pothuajse dy orë pasi zyrtarja e AKPPM-së, Sulltane Havolli e kishte njoftuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut, Bashkim Sadiku, më 02.07.2024, se për arsye shëndetësore do të dilte nga orari i punës për vizitë mjekësore, Sadiku i dërgon një email zyrtares Havolli duke iu referuar një njoftimi të Zyrtarit Kryesor Administrativ të AKPPM-së, Sejdë Tolaj, se ajo i ka kryer disa shkelje ligjore në AKPPM dhe se do ta procedojë në komision disiplinor.

Pasi Havolli kishte njoftuar se ka qenë në vizitë mjekësore për arsye shëndetësore, në mëngjesin e datës 03.07.2024, zëvendëskryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Sejdë Tolaj njofton se është anuluar procedura e komisionit disiplinor ndaj zyrtares Havolli deri në një afat të pacaktuar.

Në të njëjtën ditë, zyrtarja Havolli e njofton Sadikun se sipas rekomandimit të mjekut do të jetë në pushim mjekësor dhe deri më sot ajo pretendon se nuk është thirrur për t’u deklaruar në komision disiplinor në të cilin është proceduar.

Për secilën nga shkeljet ligjore që pretendohet se zyrtarja Havolli i ka kryer në AKPPM nga viti 2023, e shkaku i të cilave është proceduar në komision disiplinor në AKPPM, KALLXO.com e ka pyetur këtë institucion më 05.08.2024, por nuk ka marrë përgjigje për asnjërën prej tyre.

Gjithashtu, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje as lidhur me pyetjen e parashtruar se pse nuk ishte proceduar në komision disiplinor Havolli në momentin që ishte verifikuar se ka kryer shkelje ligjore në AKPPM, ku disa prej tyre datojnë nga viti 2023.

Të gjitha pyetjet e KALLXO.com për këtë rast janë dërguar te zëvendëskryeshefi i AKPPM-së, Sejdë Tolaj, u.d. drejtori i Autorizim Marketingut në AKPPM, Bashkim Sadiku, u.d. menaxherja e personelit në AKPPM, Arnesa Hyseni.

Ndërkaq, Havolli vlerëson se procedimi i saj në komision disiplinor është një tentativë për ta eliminuar atë nga mundësia për të aplikuar në konkursin për drejtor të AKPPM-së, pasi i mungon dëshmia se nuk ka në fuqi masë disiplinore, e nevojshme për të aplikuar në këtë konkurs.

“Pra tentativa për eliminimin tim nga mundësia e aplikimit është procedimi im në komision disiplinor në bazën e këtyre pretendimeve të rreme. Praktikisht, pamundësimin e aplikimit gjatë kësaj periudhe në këtë formë. Duke shfrytëzuar të drejtën time për aplikim kam kërkuar nga Burimet Njerëzore pranë AKPPM-së të më ipet dëshmia se a kam në fuqi masë disiplinore si pjesë e dokumentacionit që kërkohet në konkurs (për drejtor të AKPPM-së)” – ka thënë Havolli për KALLXO.com, më 03.08.2024.

Sipas shkeljeve ligjore që Sadiku i ka përmendur në procedimin në komision disiplinor ndaj Havollit, zyrtarja e AKPPM-së akuzohet se ka keqpërdorur kartelën e vijueshmërisë me të cilën evidentojnë hyrjet dhe daljet nga puna zyrtarët në AKPPM. Në këtë rast, thuhet se më 21.06.2023, Havolli ishte evidentuar me kartelën e një zyrtari tjetër të AKPPM-së në vend të tij.

Pastaj, akuzohet se e ka keqpërdorur edhe kartelën e saj të vijueshmërisë, duke ia dhënë kartelën e saj një zyrtareje tjetër të AKPPM-së më 22.09.2023 për t’u evidentuar në punë për Havollin.

KALLXO.com e ka pyetur Havollin për pretendimet se e ka keqpërdorur kartelën e vijueshmërisë të saj dhe të zyrtarit tjetër në AKPPM dhe ajo ka thënë se më parë ka qenë praktikë e të gjithë zyrtarëve në AKPPM që t’i përdornin kartelat mes vete për ta evidentuar njëri-tjetrin në punë.

“Kjo gjë nuk është përsëritur më nga askush në institucion” – ka thënë Havolli.

Tutje, Havolli akuzohet edhe për konflikt interesi, pasi thuhet se ka regjistruar një biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), “REGCONSULLTANCY SH.P.K”, e për të cilin pretendohet se një nga detyra e punës së Havollit në këtë biznes është ofrimi i këshillave për kompanitë private.

“Ju edhe pse keni themeluar kompaninë në ARBK që nga viti 2022 për të njëjtat detyra që i ushtroni në AKPPM nuk keni njoftuar as mbikëqyrësin e drejtpërdrejtë as Zyrtarin Kryesor Administrativ të AKPPM-së dhe me këtë keni bërë shkelje ligjore” – ka shkruar Sadiku në procedimin për komision disiplinor të Havollit.

Për konfliktin e interesit të pretenduar, Havolli e ka quajtur “shpifje të qëllimshme” dhe ka thënë se nuk është pyetur asnjëherë nga AKPPM për këtë biznes.

Sipas Havollit, veprimtaria e kompanisë “REGCONSULLTANCY SH.P.K” është jashtë fushës së farmacisë, kompani në të cilën thotë se nuk punon qe një kohë.

“Nuk jam ftuar asnjëherë as për pyetje dhe konsulta rreth kësaj çështje, biznesi që përmendet në komision është biznes imi, i cili ka pasur kontratë për shërbime me Kompaninë angleze “ACT for Cancer” si nënkontraktor për shërbimet hulumtuese dhe konsulencë” – ka deklaruar Havolli.

Sipas përshkrimit të aktiviteteve të kompanisë “REGCONSULLTANCY SH.P.K” në ARBK, kjo kompani kryen këto aktivitete: aktivitetet e këshillimit për biznes dhe këshillat e tjera për menaxhim, aktivitetet e tjera shërbyese financiare, përveç fondit të sigurimit dhe atij pensional p.k.t., shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit dhe aktivitetet e kombinuara shërbyese të administrimit të zyrave.

Më tej, zyrtarja Havolli është akuzuar se ka bërë shkelje ligjore për tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave, pasi ajo kishte komunikuar me një zyrtar të Ministrisë së Financave lidhur me një kërkesë që zëvendëskryeshefi i AKPPM-së, Sejdë Tolaj e kishte adresuar në këtë Ministri për kompensimin e shtesës së tregut të punës për stafin e AKPPM-së, më 12.10.2023.

“Ju pa asnjë autorizim të mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë apo të ZKA-së duke tejkaluar kompetencat komunikoni dhe i shkruani përmes emailit zyrtar MFTPT-së pa përfshi në CC as mbikëqyrësin e as ZKA-në. Me këtë veprim keni bërë shkelje duke tejkaluar kompetencat dhe autorizimet si dhe duke dëmtuar imazhin e institucionit të AKPPM-së” – ka thënë Sadiku në procedimin për komision disiplinor të Havollit.

Havolli ka treguar komunikimin që ka pasur me zyrtarin e Ministrisë së Financave më 26.01.2024 lidhur me kërkesën e paraqitur nga Tolaj për kompensimin e shtesës së tregut të punës për stafin e AKPPM-së, si dhe përgjigjen e zyrtarit ia ka përcjellë personalisht Tolajt, më 05.04.2024, kur edhe e kishte marrë përgjigjen.

Se ka tejkaluar autorizimet dhe kompetencat për shkak se është interesuar se çka ka ndodhur me kërkesën e paraqitur në Ministri të Financave, Havolli e ka quajtur “konkluzion të pabazë”.

“Unë si zyrtare dhe si individ me të drejtë për të bërë pyetje për çështje personale kam pyetur se në çfarë faze është kërkesa e adresuar nga zv.drejtori i përgjithshëm (i AKPPM-së)” – ka shtuar Havolli.

Në pikën e radhës të shkeljeve ligjore që pretendohet se i ka bërë Havolli, Sadiku pretendon se Havolli nuk e ka respektuar vijueshmërinë e orarit të punës 08:00 – 16:00 në AKPPM, duke ja përmendur kështu hyrjet/daljet e saj nga AKPPM në të cilat nuk është evidentuar.

Sipas Sadikut, Havolli në datat 16.04.2024, 22.04.2024, 25.04.2024, 26.04.2024, 10.05.2024, 20.05.2024, 22.05.2024 nuk është evidentuar në dalje nga puna, por vetëm në hyrje nga puna në AKPPM.

Ndërsa, më 23.04.2024 Sadiku ka thënë se Havolli nuk është evidentuar as në hyrje, as në dalje nga puna në AKPPM.

Pasi është anëtare në Komisionin për përcaktimin e çmimeve për produktet medicinale, Havolli i ka treguar ekipit të KALLXO.com njoftimin me email, i cili shihet se i është dërguar edhe Sadikut, se nga data 16.04.2024 deri më 26.04.2024 është kërkuar të angazhohet në këtë Komision.

Në anën tjetër, edhe vet Sadiku është anëtar në Komisionin për përcaktimin e çmimeve për produktet medicinale. Ndërsa, sipas një njoftimi të datës 16.04.2024, Havolli e ka njoftuar personalisht Sadikun se duhet të punojë në këto data deri më 26.04.2024 në Komision.

Havolli po ashtu ka treguar njoftimet e Komisionit për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale për punët e kërkuara në kuadër të këtij Komisioni në data 10.05.2024, 20.05.2024 dhe 22.05.2024, të cilat janë data të kontestueshme nga Sadiku se ajo nuk ka evidentuar daljen nga puna në AKPPM.

Dhe në pikën e fundit në procedimin e komisionit disiplinor ndaj Havollit, Sadiku ia ka përmendur mosefikasitetin në punë Havollit.

“Po ashtu unë vlerësoj se keni mosefikasitet në përmbushjen e detyrave të punës, shqyrtimin dhe procesimin e lëndëve ku jeni shumë pak e angazhuar. Andaj ju informoj se bazuar në shkeljet ligjore të cekura më lartë si mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i juaj sipas legjislacionit në fuqi ju procedoj në komision disiplinor pranë AKPPM-së” – ka përfunduar Sadiku.

Sa i përket mosefikasitetit në punë, sipas Havollit nuk ka asnjë raport vlerësues të punës së saj në AKPPM që e dëshmon këtë.

“Çdo vlerësim imi paraprak është me notat maksimale. Jam anëtare e Komisionit për përcaktimin e çmimeve. Puna enorme në Komision nuk ka bërë drejtuesit të reflektojnë dhe të lirohem nga disa detyra… Çdo javë është vazhduar me punët në AKPPM dhe në Komision po ashtu. Kam listën e raporteve të punëve të ndara për mua. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që të kem ndonjë tejkalim afati ose diçka ngjashëm” – thotë Havolli.

KALLXO.com e ka pyetur AKPPM-në se a kanë raporte të vlerësimit të punës së zyrtares Havolli në AKPPM dhe se sipas këtyre raporteve çfarë vlerësimi ka ajo në punë, por ata nuk kanë dhënë përgjigje as për këtë pjesë.

Si përfundim, Havolli ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Agjenci për Informim dhe Privatësi (AIP) AKPPM-në, pasi të kalojë afati ligjor i kërkesës së saj të dytë, të dërguar më 29.07.2024, për ta pajisur me dëshmi se nuk ka në fuqi masë disiplinore.

Përderisa, afati i fundit për të aplikuar në konkursin për drejtor të AKPPM-së është më 09.08.2024.