Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Denoncimi në email-et e ministrit Vitia, sinjalizuesi procedohet në Komision disiplinor

Një komunikim i cili ishte zhvilluar në email-e, në të cilat ‘CC’ ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe sekretari i kësaj Ministrie, Naim Bardiqi, i ka kushtuar me procedim në Komision disiplinor menaxherit të Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

KALLXO.com ka zbuluar komunikime elektronike në të cilat ushtruesi i detyrës së kryeshefit të AKPPM-së, Arian Ahmeti kërkon nisjen e procedurave disiplinore ndaj vartësit të tij, i cili kishte vendosur të denonconte publikisht keqpërdorimet.

Sipas komunikimeve elektronike të siguruara nga KALLXO.com, menaxheri i Njësisë për menaxhimin e Burimeve Bjerëzore kishte denoncuar te Ministri dhe te një varg adresash veprimin e u.d. kryeshefit, i cili kishte ndërprerë procedurën disiplinore ndaj një zyrtareje të AKPPM-së, e cila ishte denoncuar në Komision disiplinor për keqpërdorim të kartelës së vijueshmërisë. 

Më 22.08.2024, Arian Ahmeti kishte dërguar një email me të cilin njoftonte se kishte marrë vendim të anulonte të gjitha aktet e inicuara për përgjegjësi disiplinore ndaj zyrtares S.H. Ky vendim ishte marrë në kohën kur ndaj zyrtares ishte duke u zhvilluar procedura disiplinore.

KALLXO.com ka siguruar pretendimet ndaj kësaj zyrtareje, e cila ishte denocuar se kishte keqpërdorur kartelën e saj zyrtare, duke ua dhënë kolegëve për t’u evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes. Po ashtu, në pretendimet disiplinore theksohej se zyrtarja dyshohej edhe për një konflikt të interesit, pasi kishte regjistruar një biznes. 

Më tej, KALLXO.com ka zbuluar se u.d. i kryeshefit të AKPPM-së, Arian Ahmeti, i cili është emëruar nga ministri Arben Vitia më 15.08.2024 në ditën e tij të parë të punës vendosi ta mbyllë çështjen me Vendim Ekzekutiv, pa asnjë masë disiplinore.

Me Vendimin për mbylljen e rastit disiplinor u.d. kryeshefi vendosi të ndryshojë edhe përbërjen e Komisionit disiplinor të AKPPM-së.

Pretendimet për ndëshkim të denoncuesit 

Në janar të vitit 2025, një kërkesë tjetër disiplinore ishte kërkuar të inicohet ndaj një zyrtari. Në këtë situatë, menaxheri i Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore kishte dërguar një email të gjatë, në të cilin denonconte procesin e emërimit të Komisionit të ri disiplinor dhe nënvizonte veprimet e u.d. kryeshefit, me të cilat kishte amnistuar zyrtaren për mosvijueshmërinë në punë.

Denoncimi ishte dërguar te ministri Arben Vitia, u.d. kryeshefi i AKPPM-së, Ambasada e SHBA-së, një grup i organizatave të Shoqërisë civile, Ambasada britanike dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Në këtë denoncim, menaxheri i Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore pretendonte se procedura disiplinore nuk mund të mbyllet me Vendim të Kryeshefit, por ajo duhet të përfundojë në Komision disiplinor.

Ky veprim dhe denoncimet e tjera në email e shtyn U.D. Kryeshefin që në këtë situatë të nisë ndërmarrjen e masave ndaj sinjalizuesit.

KALLXO.com ka siguruar korrespondencën me të cilin Arian Ahmeti, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj Agjencie, më 31.01.2025, përmes një email-i kishte njoftuar menaxherin e Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore të AKPPM-së, se ka iniciuar procedurë disiplinore, ndër të tjera me pretendimet se i njëjti kishte përhapur fakte të pavërteta dhe kishte tejkaluar autorizimet e tij.

“…inicioj procedurë disiplinore ndaj … duke u mbështetur në faktet dhe rrethanat që konsistojnë në tejkalimin e autorizimeve dhe të drejtave të tij nga marrëdhënia e punës e shprehur përmes dhënies së vlerësimeve zyrtare për aktet administrative të ZKA-së, për të cilat ai nuk ka kompetencë, refuzimit për të respektuar udhëzimin dhe tërheqjen e vërejtjes së ZKA për të mos tejkaluar autorizimet e tij dhe përmes lajthitjes dhe përhapjes së pavërtetë të fakteve dhe rrethanave konkrete…” – thuhet në njoftimin e U.D. Kryeshefit.

Para inicimit të procedurës disiplinore, Ahmeti kishte paralajmëruar fillimisht Menaxherin e Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore se do të inicionte këtë procedurë ndaj tij pas email-it të parë të pranuar nga ai. Ahmeti i kishte quajtur të pambështetura në ligje keqpërdorimet e pretenduara nga Menaxheri i personelit, ndërsa kishte theksuar se “në kuptimin zyrtar, juve nuk ju lejohet të shpreheni në asnjë rast për ligjshmërinë e veprimeve e vendimeve të mia, në mungesë të autorizimit për ta bërë një gjë të tillë”.

“Me qëllim që kjo çështje të mos shërbejë si shembull i keq se si ne i lejojmë institucionet publike të funksionojnë me qasje anarkike, unë ju njoftoj se do të shqyrtoj mundësinë e procedimit tuaj në Komision Disiplinor për shkelje të rënda të detyrave zyrtare…” – thuhet në email-in e U.D. Kryeshefit.

Pas këtij paralajmërimi që Menaxheri i Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore e ka konsideruar kërcënim, në një email të dytë kishte përmbledhur në mënyrë më të zgjeruar keqpërdorimet e pretenduara, të cilën e kishte drejtuar dhe në institucione dhe organizata të tjera, U.D. Kryeshefi vendos për inicimin e procedurës disiplinore.

“Kërcënimi juaj ndaj meje me procedim në Komisionin disiplinor ka për qëllim që të mbytë zërin e Menaxherit të Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore që kallxon kundërligjshmëritë dhe shkeljet në institucionin tonë – AKPPM. I nderuar ushtrues detyre i pozitës së kryeshefit ekzekutiv, z.Ahmeti, nëse jo si Menaxheri i NJMBNJ-së duhet të shpërfaqë këto shkelje, veprime kundërligjore në AKPPM, kush mendoni ju se duhet të ngrehë zërin për këto shkelje.” – kishte shkruar në email, Menaxheri i Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore të AKPPM-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com u.d. kryeshefi Arian Ahmeti nuk ka dashur të komentojë rastin, ndërsa e ka mohuar që veprimi i tij është hakmarrje ndaj Menaxherit të personelit.

“Nuk kam kohë për asnjë pyetje. Ky është proces ‘intern’, derisa nuk kryhet rasti nuk kam koment. Nuk ka kurrfarë hakmarrje. Nuk kam koment derisa kryhet e gjithë procedura dhe është çështje ‘interne’ dhe nuk është çështje publike.” – tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me pretendimet e sinjalizuesit dhe Vendimet e U. D. Kryeshefit të AKPMM-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Haki Smajli, tani anëtar i Komisionit disiplinor në AKPPM, nuk ka pranuar të flasë duke thënë se për këtë duhet të marrim përgjigje nga AKPPM.

Demë Rexhepi, udhëheqës i Njësisë së Auditimit të Brendshëm, i cili është ndër personat që ka pranuar email-in e sinjalizuesit, ka thënë se e ka parë atë, por nuk është i obliguar të ndërmarrë ndonjë veprim.

“E kam parë që jam i përfshirë në email dhe pjesë e komunikimeve të insititucionit. Nuk jam obliguar që të marrë ndonjë veprim, thjeshtë kam qenë i përfshirë aty si shumë të tjerë.” – tha ai për KALLXO.com.