Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy shkarkime e një dorëheqje në pozitat udhëheqëse të tri institucioneve shëndetësore

Udhëheqësit e tri prej institucioneve më të rëndësishme të shëndetësisë janë ndërruar pasi që dy prej tyre u shkarkuan e një tjetër dha dorëheqje.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shkarkoi ushtruesen e detyrës së kryeinspektores shëndetësore, Nora – Kursani Demhaja dhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Sejdë Tolaj.

Ndërsa, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Sipas këshilltarit politik të Ministrit, Durim Elshani, shkarkimet janë bërë në kuadër të funksionimit më të mirë të institucioneve, me synim rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve.

Shkarkimet dhe dorëheqja nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, siç tha ai. Këto ndryshime vijnë në 6-mujorin e fundit të mandatit të kësaj qeverie.

“Të dy zyrtarët (e shkarkuar) kanë qenë ushtrues detyre dhe janë ndërruar me ushtrues të tjerë detyre, në kuadër të funksionimit më të mirë të institucioneve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi” – tha Elshani.

Lidhur me dorëheqjen e Naser Ramadanin, Elshani tha se ai nuk ka paraqitur arsye për dorëheqjen e tij.

Ramadani i kontaktuar nga KALLXO.com, nuk u është përgjigjur thirrjeve as mesazheve. Vendimet e Ministrit, nuk kanë pranuar t’i komentojnë as të shkarkuarit, Tolaj e Kursani – Demhaja.

Këshilltari i ministrit Vitia, Durim Elshani konfirmoi se në krye të Inspektoratit Shëndetësor është emëruar Labinot Zeqiri, në krye të AKPPM-së, Arian Ahmeti, ndërsa IKShPK-në do ta udhëheqë Ardita Baraku.