Lirohet nga detyra u.d. kryeshefi i AKPPM-së, Sejdë Tolaj

Është liruar nga detyra ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Sejdë Tolaj.

KALLXO.com mëson se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë ketë vendim dje, më 15.08.2024 dhe se në vend të tij ka emëruar Arian Ahmetin.

Ahmeti paraprakisht ka qenë drejtor i Departamentit të Farmakovigjilencës në AKPPM.

Tolaj ka mbajtur këtë pozitë prej datës 05.10.2022.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Tolaj ka thënë se tash është kthyer në pozitën e drejtorit të Departamentit të Administratës, Buxhetit dhe Financave në AKPPM.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për arsyen e lirImit të Tolajt nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të AKPPM-së dhe është në pritje të përgjigjeve.

Vendimi për lirimin e Tolajt nga kjo pozitë në AKPPM vjen pas raportimeve të KALLXO.com rreth pretendimeve të zyrtares së Departamentit të Autorizim Marketingut në AKPPM, Sulltane Havollit, e cila thekson se nuk iu lëshua një dokument nga kjo Agjenci, në atë kohë e udhëhequr nga Tolaj.

Dokumenti që zyrtarja Havolli kërkoi dy herë nga AKPPM, më 17.07.2024 dhe 29.07.2024, ishte një dëshmi që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj.

Dëshmia se nuk ka në fuqi masë disiplinore është njëra nga dokumentet e nevojshme që zyrtares Havolli iu desh në mënyrë që të aplikonte në konkursin për drejtor të AKPPM-së, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë më 10.07.2024.

KALLXO.com e ka pyetur Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale lidhur me pretendimet e Havollit se nuk i është lëshuar ende dëshmia që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj dhe për shkeljet ligjore që pretendohet se i ka bërë në AKPPM.

Pavarësisht afatit të konkursit për drejtor të AKPPM-së, vetë ky institucion ka vlerësuar që ta presin ushtruesin e detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut, Bashkim Sadiku, që t’u përgjigjej pyetjeve të KALLXO.com.

“Ju informojmë se aktualisht gjendet në pushim vjetor mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i cili e ka proceduar në komision disiplinor znj. Sulltane Havolli, bazuar në shkeljet ligjore. Në momentin e kthimit nga pushimi vjetor do të ua dërgojmë përgjigjet në pyetjet e dërguara nga ana e juaj” – thuhet në përgjigjen e AKPPM-së më 06.08.2024.

Në mungesë të dëshmisë se nuk ka në fuqi masë disiplinore, Havolli nuk aplikoi në konkursin për drejtor të AKPPM-së, por u ankua në Agjenci për Informim dhe Privatësi (AIP) ndaj AKPPM-së për mosqasje në dokumentin që kishte kërkuar dy herë.

Po ashtu, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut në AKPPM, Bashkim Sadiku, më 02.07.2024, duke iu referuar një njoftimi të Tolajt, i kishte dërguar një email zyrtares Havolli se ajo i ka kryer disa shkelje ligjore në AKPPM dhe se do ta procedojë në komision disiplinor.

Në mëngjesin e datës 03.07.2024, Tolaj e kishte njoftuar Havollin dhe Sadikun se është anuluar procedura e komisionit disiplinor ndaj Havollit deri në një afat të pacaktuar, pasi Havolli kishte njoftuar se ka qenë në vizitë mjekësore për arsye shëndetësore.

Për secilën nga shkeljet ligjore që pretendohet se zyrtarja Havolli i ka kryer në AKPPM nga viti 2023, e shkaku i të cilave është proceduar në komision disiplinor në AKPPM, KALLXO.com e ka pyetur këtë institucion më 05.08.2024, por nuk ka marrë përgjigje për asnjërën prej tyre.

Gjithashtu, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje as lidhur me pyetjen e parashtruar se pse nuk ishte proceduar në komision disiplinor Havolli në momentin që ishte verifikuar se ka kryer shkelje ligjore në AKPPM, disa prej të cilave pretendohet se datojnë nga viti 2023.

Të gjitha pyetjet e KALLXO.com për këtë rast iu dërguan ish-zëvendëskryeshefit të AKPPM-së, Sejdë Tolajt, u.d. drejtorit të Autorizim Marketingut në AKPPM, Bashkim Sadikut, u.d. menaxheres së personelit në AKPPM, Arnesa Hysenit.

As Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur lidhur me pretendimet e Sulltane Havollit se nuk po i lëshohet dëshmia që nuk ka në fuqi masë disiplinore ndaj saj, por as në lidhje me konkursin për drejtor të AKPPM-së.

Raportimin e KALLXO.com lidhur me pretendimet e zyrtares Havolli mund ta lexoni në këtë LINK.