Jahjaga Do Krijim të Kushteve për Afarizëm

Zotimet për zhvillimin ekonomik nëpër komunat e Kosovës Jahjaga e Mustafa i bënë në një konferencë që sot u mor me këtë temë..

Nëpër komunat e Kosovës ekziston një nevojë e shtuar për ngritje ekonomike, tha Presidentja Jahjaga gjatë konferencës.

“Studime të shumta dhe të ndryshme dëshmojnë se një numër i konsiderueshëm i komunave të Kosovës ofrojnë shërbime të pamjaftueshme për biznesin. Kjo reflektohet pastaj në një nivel më të ulët afarist nëpër ato komuna,” tha Jahjaga.

Sipas saj nevojitet krijimi i kushteve për afarizëm.

Për dallim nga Presidentja Jahjaga, Kryeministri Mustafa tha se është bërë punë e madhe dhe është ndërtuar një infrastrukturë e mirë rrugore, shkollore e shëndetësore.

“Politikat fiskale që janë ndërmarrë nga qeveria parapëlqehen nga sektori i bizneseve dhe ajo më gëzon veçmas, andaj në terren flitet me terma konkretë. Besoj që e kemi arritur një zhvillim ekonomik, punësim, konkurrencë dhe këtë ta shndërrojmë prioritet të qeverisjes dhe të bizneseve, por këtë nuk kemi arritur ta shndërrojmë në prioritet të opinion publik,” tha Mustafa.

Ai deklaroi se opinioni publik është i ngarkuar me gjëra tjera.

“Opinioni publik është i stërngarkuar me kauza politike që nuk ndihmojnë në kauza zhvillimore dhe nuk ndihmojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, sepse e pasqyrojnë vendin si të korruptuar, politikisht jostabil dhe jo të sigurt,” tha Mustafa.

Në konferencë u diskutua për kapacitetet zhvillimore që ofrojnë komunat, për mundësitë e reja që krijohen me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga 1 prilli,  apo liberalizimit të vizave në të ardhmen.