Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor

Kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Londër

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor ka mbledhur në kryeqytetin anglez, Londër, kryeministrat e gjashtë shteteve; Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që është nikoqire e këtij Samiti për herë të gjashtë, ka njoftuar që të gjithë kryeministrat e shteteve përkatëse e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në këtë takim do të marrë pjesë së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji.

Pika kryesore tradicionale e Samitit  është “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kryesore rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit.

Në rendin e ditës parashihet që sesioni i kryeministrave të ketë pyetje dhe përgjigje të zgjeruara me investitorët e huaj.

Para këtij sesioni do të mbajë fjalë presidentja i BERZH, Odile Renaud-Basso, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Komisoneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi.

Mes të tjerash, BERZH ka njoftuar që deri më tani kanë investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor.

Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.

Më 13.12.2023 ishte mbajtur Samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë Samit ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërsa, Samiti i mbajtur më 06.12.2022 ishte mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u themelua në vitin 1991 për të krijuar një epokë të re të pas Luftës së Ftohtë në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kryeministri Kurti dhe ministri Murati udhëtuan për në Londër, do të marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor