Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, 26.02.2024.

Albin Kurti në Londër: Jemi plotësisht në vijë me ShBA-të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, ripërsëriti që Qeveria e Kosovës është në linjë me aleatët, qoftë në luftimin e korrupsionit, ashtu edhe në të bërit biznes.

“Kemi një qeveri të përqendruar në sundim të ligjit, luftimin e korrupsionit duke qenë plotësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, në qasjen e bazuar në politikë dhe vlera, gjithashtu për të bërë biznes posaçërisht pas agresionit të Rusisë në Ukrainë”- tha Kurti gjatë fjalës së mbajtur më 26.02.2024, në prani edhe të kryeministrave të tjerë, e ku theksin e vuri në potencialet që i ofron Kosova për investitorët e jashtëm.

Kurti këtë fjali e tha në kohën kur Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos euros, që të përdorët si mjet pagese.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndër të tjerash, Kurti në fokus të synimeve të shpalosura gjatë fjalimit pati investimet e huaja në sektorin e teknologjisë informative në Kosovë.

 “Indeksi i konkurrencës teknologjike për vitin 2023 për rajonet e Evropës në zhvillim nga 23 shtete evropiane, Kosova renditet e 11-ta duke lënë pas të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të Bashkimit Evropian”- u shpreh Kurti.

Duke e ndërlidhur me synimet në zhvillimin e tekonologjisë inofmrative, Kurti tha që Kosova ka kosto konkurruese të punës, ekonomi të tregur të hapur, fuqi punëtore të re dhe shumëgjuhëshe dhe se mosha mesatare në Kosovë është 31 vjeçare.

Kurti tha që tri vitet e fundit vendi ka pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe qëndrueshmëri institucionale gjë që ai beson që i ndihmoi Kosovës për të luftuar me sukses kërcënimet e sigurisë, por edhe për të adresuar ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale.

“Kosova kryeson Ballkanin Perëndimor në projeksionin e rritjes reale ekonomike nga viti 2023 deri në vitin 2024. Në tre vitet e fundit rritja mesatare ekonomike ishte 6.2 për qind e BPV-së dhe ne përmirësuam ndjeshëm sundimin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, liritë civile dhe demokracinë zgjedhore”- shtoi Kurti.

Kurti në këtë takim po merr pjesë së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor ka mbledhur kryeministrat e gjashtë shteteve; Shqipërisë Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që është nikoqire e këtij Samiti për herë të gjashtë, ka njoftuar që të gjithë kryeministrat e shteteve përkatëse e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkaq në Londër fizikisht nuk kanë arritur të jenë të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji.

Pika kryesore tradicionale e Samitit  është “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kryesore rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit.

Mes të tjerash, BERZH ka njoftuar që deri më tani kanë investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perendimor.

Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.

Më 13.12.2023 ishte mbajtur Samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Europian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosova në këtë Samit ishte përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërsa, Samiti i mbajtur më 06.12.2022 ishte mbajtur për herë të parë në rajon, në Tiranë.