Jahjaga inkurajon studentët e rinj që të mos dorëzohen

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar “Ditën e Orientimit për Studentët e Rinj”, në të cilën ka pritur studentët e rinj me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Në kuadër të këtij aktivitetit, në kampusin e UP-së janë organizuar kënde informuese për secilin fakultet, në të cilët studentët e rinj janë ftuar të shohin nga afër dhe të informohen rreth fakulteteve të UP-së.

Rektori i UP-së, Marjan Dema u garantoi studentëve të rinj mbështetje të plotë për studime cilësore. Ai po ashtu gjatë fjalimit të tij njoftoi studentët edhe mundësitë për studime jashtë vendit, përmes shkëmbimit të studentëve.

“Suksesi i studentëve është prioritet i Universitetit të Prishtinës, dhe ky është misioni jonë që të krijojmë liderë e studentë kreativë. Andaj ju lus vetëm mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni”, tha Dema.

E pranishme ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, si përfaqësuese e Alumni UP, e cila tha se ndihet e privilegjuar që sot po përfaqëson të diplomuarit e UP-së.

“Shumë shpejtë do të shndërrohet në shtëpinë e juaj të dytë, ku do t’i kaloni momentet më të mira të jetës suaj, por sot dua që të diskutojë me ju për diçka më të rëndësishme, siç është ajo e edukimit e cila është përgjegjësi e jona. Të përcaktohesh në profesion është shumë e vështirë për të gjithë. Të gjithë vleni, të gjithë keni diçka të vlefshme dhe mundësinë për të arritur qëllimet e juaja”, tha Jahjaga.

Jahjaga u kërkoi studentëve të mundohen dhe ta japin më të mirën për Kosovën, duke mos e dëshpëruar familjen dhe shoqërinë.

“Jam e vetëdijshme me problemet me të cilat po ballafaqohemi, mungesën e mbështetjes, mungesën e mundësive të cilën dëshironi ta keni, dhe fatkeqësisht mungesën në tregun e çoroditur të Kosovës. Po ju lus të gjithë juve mos të dekurajoheni. Edhe unë dikur jam përballur me sfida dhe probleme të ndryshme. Ndryshe nga ju, gjenerata ime nuk e ka pasur fatin që të jetojë në liri dhe paqe dhe t’i gëzojë këto objekte ku ne jemi personalisht këtu.” shtoi ajo.