Protesta e studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Foto: KALLXO.com

Fakulteti i Bujqësisë pezullon ligjëratat deri në marrje të një vendimi për kyçjen me rrymë në objektin e ri

Studentët dhe stafi akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë përmes një proteste kanë pezulluar nisjen e procesit mësimor për vitin e ri akademik deri në marrjen e një vendimi nga ana e KOSTT për kyçje të energjisë elektrike në objektin ri.

KALLXO.com ka raportuar se ndërtimi i Objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë jashtë kushteve teknike të lëshuara nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka bërë që studentët e këtij fakulteti të mbesin pa hapësira të veta edhe këtë vit.

Bedri Dragusha, dekan në Fakultetin e Bujqësisë tha se studentët e FBV-së nuk iu gëzuan nisjes së vitit akademik, për shkak se nuk arritën të hyjnë në objektin që u takon.

“Sot është dita e  parë e vitit  aksdemik dhe stafi me studentët nuk iu gëzuan pasi kanë vendos të pezullojmë mësimin pasi nuk arriten të transefrohen në objetin e ri. Ndërtimi ka nis nga viti 2013. Kur erdhi momenti i kyçjes së rrymës u vërtetuua se ka  shkelje të distancës. Kjo është linjë ndërkombëtare dhe sipas tyre kjo duhet të jetë 7 metra distancë”- tha ai.

Blenda Fazliu, kryetare e Këshillit të Studentëve tha se po protestojnë pasi nuk po arrijnë të nisin ligjëratat në objektin e ri.

Ajo shtoi se kanë mungesë të hapësirave për vijim të duhur të mësimit.

“Po protesojmë për objektin  e ri pasi është dashur të fillojmë këtu. Nuk kemi as kushtet minimale për studime, nga sallat e leximit, e ushtrimeve. KOSTT le të veprojë pasi për shkak të kësaj trafoje jemi në këtë gjendje. Do protestojmë deri sa të merret vendim për  zhvendosje të kësaj trafo. Kemi përkrahjen e stafit akademik për këtë pezullim”-u shpreh ajo.

Objekti i cili ndodhet në zonën industriale të Prishtinës është ndërtuar jashtë kushteve teknike të KOSTT-it dhe nuk i është bërë kyçja në rrjetin elektroenergjetik.

Gjatë ndërtimit është shkelur kushti që distanca më e afërt me përçuesit re shtyllës së tensionit të lartë të jetë 7 metra.

Njëra anë e objektit është në distancë pak mbi 5 metra.

Protesta e studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Foto: KALLXO.com
Protesta e studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Foto: KALLXO.com