Ish-Togeri i Akuzuar: Asnjëherë s’kam Marrë Dhurata

Ish-togeri Sinani që akuzohet për keqpërdorim detyre të premten u mor në pyetje nga avokati i tij Aziz Rexha.

Sinani tha se asnjëherë nuk mori ndonjë dhuratë nga i dëmtuari Bidajet Sylejmani, ndonjë i afërm i tij, ose ish-kolegu Besim Shabani.

Tregoi një rast kur refuzoi një parfum të blerë për të.

“[I afërmi i Bidajet Sylejmanit] ka thënë se më ka blerë një parfum dhe unë jam largu nga tavolina dhe i thashë se a do të më korruptosh ,a?” tha Sinani.

Para se Sinani të jepte versionin e tij të ngjarjeve për të cilat akuzohet, pala e dëmtuar paraqiti propozimin për kërkesën për kompensim të dëmit material dhe jomaterial në vlerë 800 mijë e 223 euro.

Sinani e pranoi se shkoi në shtëpinë e të dëmtuarit të këtij procesi gjyqësor Bidajet Sylejmani, por tha se u mashtrua nga Besim Shabani.

Sinani e Shabani kishin shkuar në shtëpinë e tash të dëmtuarit pas lirimit të tij, ndërsa sipas Sinanit Bidajet Sylejmani ishte arrestuar prapë, dy javë pasi u vizitua nga ai dhe ish-kolegu i tij.

“Pas arrestimit të dytë familjarët e Bidajetit mendojnë se unë e kam tradhtuar atë duke e dorëzuar në njësitin policor të Prishtinës,” tha i akuzuari Sinani.

Edhe Besim Shabani punonte në polici, ndërsa u dënua për dshpërdorim detyre me 5 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Kur në këtë proces gjyqësor në korrik të vitit të kaluar dëshmoi babai i të dëmtuarit Bedri Sylejmani, tregoi për vizitën që Sinani e Shabani i bënë familjes së tij. Tha se këtë vizitë e kishte kuptuar si kërkimfalje për arrestimin e djalit të tij.

http://kallxo.com/babai-i-te-demtuarit-deshmon-ne-gjykimin-e-policit/

Sinani tha se nga viti 2010 deri në kohën e arrestimit të tij drejtoi Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ferizaj.

Ai tha se i dëmtuari Bidajet Sylejmani trafikonte femra nga Shqipëria duke i sjellë për t’u martuar në Shtërpcë.

“Te rasti për Bidajetin  informacioni ka qenë për trafikim të femrave nga Shqipëria që i ka martuar në Shterpcë,  hetuesit kanë punuar me Qendrën për Punë Sociale në Shtërpcë, viktimat e supozuara nuk janë deklaruar dhe QPS-ja  në Shtërpcë nuk ka ofruar bashkëpunim,” tha Sinani.

Ai tregoi se informata e parë për këtë trafikim kishte ardhur nga Drejtoria Qendrore e Njësitit Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Prishtinë.

Ai shpjegoi procedurat që ndjek ky njësit gjatë hetimeve.

“Për ç’do rast që hetohet përgatitet një plan i hetimit ku shënohen veprimet e hetimit dhe emri i hetuesit. ky plan mund të kontrollohet nga drejtoria dhe nëse ka ngecje ftohet hetuesi së bashku me planin që të sqarojnë se deri ku kanë mbërritur me hetim,” tha Sinani.

Menderes Sinani e sqaroi edhe procedurën që bëhet nga momenti i arrestimit të një personi deri te përgatitja e lëndës për të.

“Kur ndalohet një person duhet  njoftuar prokurori publik. Në rastin e Bidajetit ka qenë i njoftuar prokurori,  është ndalë Bidajeti, është sjellë në stacionin policor, është marrë në pyetje dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë,” tha Sinani.

Sipas tij, te rasti i Bidajetit është kompletuar lënda, është dërgu në gjykatë dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë  më nga prokurori.

Menderes Sinani tha se prioritet i Njësitit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore ishte identifikimi i viktimave të trafikimit, ofrimi i ndihmave dhe përkrahja e tyre, ndjekja e kryerësve të këtyre veprave dhe sjellja e tyre para drejtësisë.

Sinani tregoi se ky njësit mbikëqyrej më së shumti nga prania ndërkombëtare në Kosovë.

Sinani në gjykatë tha se kishte gradën e togerit deri në momentin kur u arrestua.

“Në vitin 2005 jam graduar si toger dhe pas një kohe shumë të shkurtër jam emëruar si shef i hetimeve të specializuara në rajonin e Ferizajt. E kam udhëhequr Njësitin e Personave të Zhdukur, Njësitin  Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Njësitin Kundër Drogës, kjo ka ndodhur deri në 2010 kur është ndryshuar struktura organizative dhe më nuk kam pasur mundësi t’i udhëheq të gjitha  njësitë dhe jam orientuar vetëm në Njësitin kundër Trafikimeve me Qenie Njerëzore,” tha Sinani.

Menderes Sinani do të vazhdoj të merret në pyetje edhe të hënën.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/situata-te-tensionuara-ne-gjykimin-e-ish-policit/

http://kallxo.com/policet-deshmojne-ne-seance-per-kolegun-e-tyre/

http://kallxo.com/ne-gjykimin-e-ish-policit-perseri-deshmi-nga-familja-e-te-demtuarit/ [interaction id=”56ec72fa86da243b79abe1f1″]