Ish-Drejtori i Shkollës Teknike Ndihet i Pafajshëm
Ish-drejtori i Shkollës Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, Shemsi Lushaku, sërish është deklaruar i pafajshëm në gjyq.
Lushaku akuzohet se si person zyrtar gjatë periudhës kohore 2010-2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka përvetësuar më shumë se 8,600 euro.
Në këtë seancë fjalën hyrëse e ka paraqitur prokuroria dhe pala mbrojtëse.
Ramë Gashi, avokati i Shemsi Lushakut, tha se nuk ka prova që e vërtetojnë se klienti i tij ka përvetësuar shumën e pretenduar në aktakuzë.
“Nuk ka përfituar në mënyrë të paligjshme, as që ka dëmtuar interesin publik në mënyrë të paligjshme. Do të vërtetohet se provat e prokurorisë, sidomos ekspertiza financiare e bërë nga eksperti i caktuar nga prokuroria, është e pabazuar sepse nuk i ka të sakta vlerat e të ardhurave dhe shpenzimeve për periudhën përkatëse”, tha Gashi.
Më pas ishte paraparë që të jepte deklaratën e tij edhe pala e dëmtuar – në këtë rast Komuna e Prishtinës.
Mirëpo, përfaqësuesi i saj ligjor, Qazim Qunaku, tha se nuk ka asnjë shkresë të lëndës, e as aktakuzën, prandaj nuk mund të deklarohet sot.
“Unë nuk jam në gjendje sot që të deklarohem rreth kësaj çështje penale se si përfaqësues juridik i Komunës së Prishtinës jam i njoftuar vetëm me thirrjen për këtë seancë, nuk jam i njoftuar as me aktakuzën e as me shkresat tjera të lëndës”, tha Qunaku.
Pasi që Qunaku nuk ishte në gjendje të jepte deklaratën e tij, kryetari i trupit gjykues e shtyri seancën dhe e obligoi palën akuzuese që t’ia sigurojë të gjitha shkresat e lëndës përfaqësuesit të Komunës.