Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa Uron Presidentin e ri të Francës

Edhe Kryeministri Isa Mustafa ka përgëzuar Presidentin e ri të Francës, Emmanuel Macron, pas fitores në zgjedhjet e mbajtura sot.

Kryeministri Mustafa, ka shkruar se ky është sukses i madh për Francën, për Evropën, dhe për rajonin dhe për Kosovën.

Kandidati liberal-centrist, Emmanuel Macron, ka fituar zgjedhjet presidenciale franceze me rreth 65,5 për qind të votave, njofton “Le Figaro”.

Ndërsa, rivalja e tij Marine le Pen ka fituar rreth 34,5 për qind të votave.

Presidentit të ri i ka telefonuar për ta uruar edhe presidenti aktual, François Hollande, i cili ka theksuar se fitorja e tij e madhe konfirmon se një shumicë shumë e madhe e bashkëqytetarëve kanë dashur të bashkohen rreth vlerave të Republikës dhe të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj Bashkimit Evropian si dhe hapjen e Francës ndaj botës.

Në këto zgjedhje nuk kanë dalë për të votuar rreth 25,5 për qind e votuesve.

Macron dhe Le Pen u kualifikuan në rrethin e dytë pasi në rrethin e parë, i zhvilluar më 23 prill, ata morën më së shumti vota nga 11 kandidatët që ishin në garë për ta zëvendësuar presidentin aktual, François Hollande.