Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Isa Mustafa: Shfryrjen e listave të veteranëve duhet ta bëjnë ata që i frynë me ligj

Ish-kryeministri Isa Mustafa iu është bashkangjitur diskutimeve për çështjen e listës së veteranëve.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon që shteti i Kosovës duhet të gjejë rrugë që të tejkalojë deformimet me listat e veteranëve.

Sipas tij, me këtë çështje nuk duhet të merret vetëm prokuroria e gjyqësia, por edhe ata që këto lista i kanë fryrë përmes ligjit të veçantë.

Ky është postimi i plotë i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Të dashur miq,

Shteti i Kosovës duhet të gjejë rrugë për tejkalimin e deformimeve me listat e veteranëve dhe përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre. Këtë problem e kemi diskutuar disa herë me përfaqësuesit e FMN-së sa isha Kryeministër i vendit, dhe ishim në një rrugë të gjejmë zgjidhje nga ekspertiza dhe përvoja e tyre ndërkombëtare. Si i tillë, ekzagjerimi i listave dhe numrit të veteranëve nuk duhet të jetë vetëm çështje e prokurorisë dhe gjyqësisë, edhe pse këto organe duhet të vazhdojnë pa presione ta bëjnë punën e tyre. Gjeneza, mendoj se, qëndron te lëshimi me prapavijë klienteliste apo edhe nga interesa të tjera e dëshmive nga përgjegjësit e zonave për njerëz që nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës. Prandaj duhet të sillemi racionalist, të mos ngatërrojmë adresat, sepse as Kryeprokurori dhe as ish prokurori i lëndë nuk i kanë fryrë listat. Shfryrja e listave duhet të ndodhë nga ata që i kanë fryrë dhe me Ligj të veçantë. Ndërkaq, keqpërdoruesit duhet të përgjigjen. IM