Radovan Karaxhiq | Foto: Gjykata e Hagës

Intervista e Radovan Karaxhiqit Zemëron të Mbijetuarit e Srebrenicës

Ish-presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq ka zemëruar të mbijetuarit e Srebrenicës duke i përshkruar masakrat e vitit 1995 si “një krim të tmerrshëm lufte kundër të burgosurve të luftës, jo civilëve” në një intervistë të publikuar në faqen e internetit të stacionin televiziv nga Banja Luka RTRS të enjten në mbrëmje.

Karaxhiq, i cili u dënua me 40 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera lufte nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në mars, e përdori intervistën për të protestuar për pafajësinë e tij në lidhje me krimet për të cilat u dënua.

Ai përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se masakrat e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, kur më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjake u vranë, u kryen nga armiqtë e serbëve.

“Kjo është diçka që armiqtë tanë donin të ndodhte. Asnjë serb normal s’do të donte të bëhej diçka e tillë në emër të palës serbe,” tha ai në intervistë.

Por Nedzat Avdiq, një i mbijetuar i masakrës, tha se pretendimet e Karaxhiqit ishin të rreme.

“Gjenocidi nuk u krye nga armiq dhe individë siç tha Karaxhiqi. Ajo ishte një vrasje e mirë organizuar dhe sistematike,” tha Avdiq për BIRN.

Avdiq tha se pa trupat dhe policinë serbe të kryenin mizoritë, jo thjesht “individë” që vepronin në mënyrë të pavarur nga autoritetet serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, siç pretendon Karaxhiqi.

“Individët nuk mund të gjenin një vend, të organizonin dëbime, të qëllonin me mijëra njerëz dhe më vonë të angazhonin të gjitha makineritë për të ngarkuar kufomat dhe t’i çonin ato në varre masive. Të gjitha këto i pashë me sytë e mi,” tha ai.

Në intervistë, Karaxhiqi tha gjithashtu se Gjykata e Hagës ishte e njëanshme kundër tij dhe “kishte treguar dhe regjistruar shumë gabime të pabesueshme” gjatë gjyqit të tij.

Ai e krahasoi gjithashtu gjykatën në mënyrë të pafavorshme krahasuar me atë të Gjermanisë Naziste, duke thënë se “edhe Hitleri nuk e shkatërroi nderin e gjyqtarëve dhe gjykatave”.

Karaxhiq tha se ka paraqitur një apel kundër dënimit të tij në Mekanizmin e OKB-së për Gjykatat Ndërkombëtare javën e kaluar sepse “nuk kishte pasur” një gjyq të drejte.

Ai tha gjithashtu se i ka shkruar Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke kërkuar që ai të krijojë një komision për të shqyrtuar çdo vendim që ka marrë deri më tani Gjykata e Hagës.

Waqar Azmi, kreu Kujtoni Srebrenicën me bazë në Britani, e cila organizon veprimtari përkujtimore, argumentoi se intervista Karaxhiqit ishte pjesë e një modeli mohimi gjenocidi nga zyrtarët serbë të Bosnjës.

“Pretendimet nga Radovan Karaxhiqi këtë javë janë thjesht një vazhdim i mohimit të gjenocidit dhe përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e liderëve serbë të Bosnjës të asaj kohe për të rishkruar historinë,” tha Azmi për BIRN.

“Mohimi i vazhdueshëm i gjenocidit duhet të dënohet pasi kjo gjë shërben vetëm për të lënduar më tej familjet e viktimave dhe për të mos e lejuar Bosnjën dhe Hercegovinën të shohë drejt të ardhmes dhe të gjejë mënyra për të promovuar pajtimin,” shtoi ai.