Inspektohen mjetet e transportit publik - Foto: Komuna e Prishtinës

Inspektohen Mjetet e Transportit Publik

Inspektorët e Komunës së Prishtinës kanë filluar kontrollin e mjeteve të transportit publik me qëllim të eliminimit të parregullsive në transportin publik.

Sipas Komunës, Drejtoria e Inspekcionit ka filluar këto kontrolle që nga 27 qershori.

“Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës, Inspekcioni i Komunikacionit Rrugor, ka filluar me realizimin e Planit Operativ për kontrollet në fushën e transportit publik urban dhe urban periferik duke filluar nga data 27 qershor”, njofton përmes një komunikate Komuna e Prishtinës.

Inspektorët janë duke kryer kontrollet për eliminimin e parregullsive në transportin publik dhe duke marrë masa sanksionuese sipas Ligjit për Transport Nr. 04/L-179, thekson komunikata.

“Qëllimi i këtij plani operativ është kontrolli i të gjithë operatorëve publikë urbanë dhe urbano periferik, me fokus gjendjen dhe kontrollet tekniko eksploatuese dhe gjithë dokumentacionin e tyre, për të ofruar siguri dhe komoditet gjatë transportit të qytetarëve dhe krijimin e kushteve më të mira për operatorët publikë“, thuhet po ashtu në komunikatë.