Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për uzurpimin e pronës së vëllait deklarohet i pafajshëm

Lekë Selitaj, i akuzuar për uzurpim të pronës, u deklarua i pafajshëm në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Aktakuza e prokurorit Bajram Kryeziu, e ngarkon Lekë Selitaj për veprën penale të uzurpimit të pronës prej periudhës Mars 2015.

Aktakuza thotë se prej vitit 2015, e gjerë më sot në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare Selitaj uzurpon pronën e paluajtshme të të dëmtuarit Mark Selitaj, e cila ndodhet në fshatin Lugbunar të Gjakovës.

Sipas aktakuzës dyshohet se Lekë Selitaj, i vetëdijshëm e shfrytëzon pronën e Mark Selitaj-vëllait të tij, pa pasur ndonjë bazë ligjore.

I pyetur nga gjyqtarja Diana Sina, lidhur me fajësinë, Lekë Selitaj u deklarua i pafajshëm.

Në fjalën e tij i akuzuari për uzurpim thotë se “…pavarësisht se ne si familje ia kemi besuar pronën vëllait më të madh dhe se kjo pronë evidentohet në emër të vëllait Mark, kjo është pronësi e përbashkët, sepse ne kemi jetuar në bashkësi familjare dhe se të gjithë si familje kemi investuar”, ka deklaruar Selitaj.

Ai tutje në fjalën e tij ka deklaruar se nuk është uzurpatorë por se për të njëjtën çështje janë në kontest civil në gjykatë.

“Para dy vitesh kemi vendosur të ndajmë bashkësinë familjare, mirëpo nuk kemi arritur marrëveshje dhe si pasojë e kësaj jemi edhe në kontest civil me Markun”, deklaroj i akuzuari Leke Selitaj.

Për shkak së këtu i dëmtuari Mark Selitaj, nuk ishte prezent dhe se i njëjti jeton jashtë shtetit,  seanca e radhës do të mbahet në muajin Korrik.