Pas 20 viteve, qytetari thotë se po i lirohet prona e uzurpuar - VIDEO

Murat Limani qytetar nga Prishtina po pretendon se që 20 vite i është uzurpuar prona e tij, të cilën nuk po mundet ta shfrytëzoj, ndonëse thotë se ekziston një vendim i Gjykatës në favor të tij, që vërteton pronësinë e tij mbi këtë pronë.

Përkundër kësaj sipas Murat Limanit, debitori Sejdi Blakqorri sot e 20 vite, pa të drejtë është duke e shfrytëzuar pronën e tij.

Ditën e hënë, në po këtë pronë të cilën të dy palët po thonë se u takon, u panë forca të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, dhe përmbarues të cilët kishin dalë në vendin e ngjarjes për ta ekzekutuar vendimin e Gjykatës, për lirimin e pronës kontestuese.

Sipas një vendimi të Gjykatës Komunale të Prishtinës, të siguruar për KALLXO.com nga Murat Limani, thuhet se qysh në vitin 2007 Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që të aprovoj padinë e kreditorit Murat Limani për vërtetim të pronësisë në atë mënyrë që e kishte obliguar të paditurin Sejdi Blakqorrin që shtëpinë në vendin e quajtur “qytet”, në sipërfaqe prej 0.00.89 ha dhe të drejtën e shfrytëzimit të oborrit në sipërfaqe prej 0.02.37 ha, ta liroj dhe t’ia dorëzoj paditësit në shfrytëzim dhe posedim.

Ndonëse një vendim për përmbarim ekziston qysh në vitin 2015, prapë se prapë Murat Limani po pretendon se nuk po mundet që ta realizoj të drejtën e tij në pronë.

Madje ai nuk u shpreh shumë i kënaqur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, pasi që tha se lirimi i pronës nënkupton edhe rrënimin e një pjese të shtëpisë, që ai konsideron se tash e 20 vite i është uzurpuar.

Murat Limani tha se kjo është hera e tretë që përmbaruesit dalin në vendin e ngjarjes por nuk arrijnë ta kryejnë përmbarimin.

Ai ekzekutimin e vendimit të Gjykatës nuk e quajti të plotë, për faktin se sipas tij përpos oborrit që i është uzurpuar edhe një pjesë e shtëpisë së debitorit është e ndërtuar në pjesën e tij dhe se ajo pjesë e shtëpisë nuk po rrënohet por vetëm po vendosen disa rrethoja që ia pamundësojnë palës tjetër hyrjen në pronë.

Gjatë ekzekutimit të këtij vendimi të Gjykatës, Policia bllokoi hyrje-daljet e qytetarëve afër kësaj hapësire, ndërsa familjarët të cilët momentalisht janë duke e shfrytëzuar këtë pronë nuk ndodheshin në shtëpi.

Pasi që brenda hapësirave të kësaj prone filloi ndërtimi i disa shtyllave me anë të të cilave do të bëhej përkufizimi i pronës së kreditorit Murat Limani dhe do t’i ndalohet hyrja në pronën kontestuese debitorit Sejdi Blakqorri, në vendin e ngjarjes erdhi i biri i Sejdi Blakqorrit, Rrahman Blakqorri i cili vendimin e Gjykatës e quajti të pa drejtë.

Sipas Blakqorrit, lidhur me rastin e njëjtë në Gjykatën e Prishtinës janë zhvilluar dy lëndë paralele dhe njërën nga këto lëndë Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim, prandaj sipas tij pa u vendosur lidhur me këtë lëndë nuk do të duhet të jepej urdhri për përmbarim.

Ndërsa sipas avokatit të kreditorit Murat Limani, Hamdi Jashari klienti i tij qysh para 20 viteve ka filluar procedurat gjyqësore për ta fituar të drejtën e tij në pronë.

Në vendin e ngjarjes u panë edhe gjeodetët të cilët kishin dalë për t’i bërë matjet dhe për t’i caktuar pikat kadastrale.