Banori i Bellanicës proteston i vetëm para objektit të Qeverisë

Një banor nga fshati Bellanicë e Komunës se Malishevës ka protestuar i vetëm para objektit të Qeverisë për kthimin e pronave të fshatit të tij.

Hazir Hoxha, kryetar i Këshillit për Kthimin e Pronave të Bellanicës me një pankartë në dorë ka protestuar para Qeverisë për pronat e fshatit të tij, për të cilat thotë se janë uzurpuar që para luftës e deri më tani.

“Arsyeja e protestës është sepse jemi që 11 vjet e më tëpr nëpër gjykata, ka marr vendim edhe Kuvendi Komunal i Malishevës që kemi të drejtë dhe janë shkelur të drejtat e njeriut”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka treguar se për cilat prona ai ka dalur që të protestoj sot para objektit të Qeverisë.

“Bëhet fjalë për prona qe janë uzurpuar që nga para lufta e deri më tani. Unë flas në emër të mbi 5 mijë banorëve, ky shtet është i kapur për qytetarët e Bellanicës e Malishevës, nuk ka asgjë jemi shumë të zhgënjyer. Tani është shpallur zonë ekonomike që në mënyrë që të mos kemi qasje”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka treguar se këto prona i kanë punuar qytetarët e Bellanicës së Malishevës dhe kanë mbledhur produktet bujqësore nga to, por subvencionet i kanë marrë të tjerët.

“Nëse do Albin Kurti e ndërmerr ndonjë hap, e mirëpresim por për momentin nuk shohim asnjë zgjidhje”, ka thënë Hoxha.