Gashi: AKP ka bërë një proces të gabuar në vitin 2014, uzurpatorëve iu dha mundësia për lidhje të kontratave

Autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë” Kreshnik Gashi ka thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë një proces të gabuar me uzurpatorët e pronave.

Ai në debatin “Jeta në Komunë” tha se përmes këtij procesi uzurpatorëve i është dhënë mundësia për të lidhur kontrata për qira pa proces të prokurimit.

“Nuk mund të legalizosh njerëzit të cilët për vite të tëra kanë shfrytëzuar pronën komunale, nuk duhet të ndiqet shembulli që e ka bërë AKP në të kaluarën, ku uzurpatorët e pronave shoqërore i kanë legalizuar duke u dhënë kontrata për qira. AKP ka bërë një proces të gabuar në vitin 2014 ku i ka ftuar uzurpatorët dhe u kanë ofruar kontrata për qira pa pasur një proces të prokurimit. Tash do e shohim edhe një kontratë për blerje të asaj prone, kjo e largon konkurrencën dhe tregun e lirë si dhe ankandin e plotë për marrje në shfrytëzim të asaj prone,” ka thënë Gashi.

Gashi gjithashtu ka shtuar se kryetarët e komunave hezitojnë të hyjnë në konflikt me banorë dhe biznese që kanë prona të uzurpuara, kurse shtoi se komunat që nuk kanë probleme të kësaj natyre janë ato që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisarit.

“Tash e 20 vite kemi një hezitim shumë të madh. Kryetarët e komunave nuk duan të hyjnë në konflikt me banorët, bizneset për lirim të pronave të uzurpuara. Situata me pronën komunale është kaotike, kryetarët nuk ndërmarrin veprime për lirim të pronës si dhe kemi hezitim nga prokuroria për hetim të uzurpimit.

 

Pothujase secila komunë ka probleme me sigurim të listës së uzurpatorëve, të vetmet komuna që nuk e kanë këtë problem janë ato komua që kanë dal nga procesi i dencentralizimit me Pakon e Ahtisarit të cilat nuk kanë prona komunale,” ka shtuar Gashi.

Më 20 korrik 2020 në Kuvendin e Kosovës është themeluar një komision për hetimin e privatizimit të proonave shoqërore që është bërë nga ish Agjensioni kosovar i privatizimit.

Ky komision po heton se si janë shitur tokat në vlerë prej dy dhe tre euro për ari.