Gjykimi i zyrtarëve të OShP-së - Foto: KALLXO.com

I akuzuari: Me anulimin e tenderit për ushqimin e FSK-së tentova të shpëtoj 850 mijë euro të shtetit

Në gjykimin ndaj anëtarëve të OShP-së, Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu, të akuzuar se e keqpërdorën detyrën zyrtare në lidhje me një tender rreth furnizimit me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së, pas administrimit të provave, mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Tefik Sylejmani.

Pasi tregoi se që nga viti 2008 e deri më tani vazhdon të jetë anëtar në OShP-së, Sylejmani nga avokati i tij Hekuran Haxhimusa u pyet lidhur me votimin e tij rreth ankesës së operatorit ekonomik Florenti&Korabi.

“Po më kujtohet se kam qenë pjesë e panelit shqyrtues… Paneli ka qenë i përbërë nga tre anëtarë: Hysni Hoxha, Ekrem Salihu dhe unë Tefik Sylejmani”, shpjegoi i akuzuari.

Ai sqaroi se lidhur me këtë ankesë të këtij operatori është mbajtur një seancë dëgjimore në të cilën tha se kanë marrë pjesë të gjitha palët që kanë qenë të përfshira në këtë aktivitet të operimit si autoriteti kontraktues, eksperti shqyrtues i prokurimit Visar Gashi, operatori ekonomik ankues, procesmbajtësi dhe paneli shqyrtues i përbërë nga tre anëtaret Hysni Hoxha, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani.

Si kriter i përgjegjshëm i tenderit, i akuzuari tha se nga operatoret e përgjegjshëm kriter ka qenë çmimi më i ulët dhe se diferenca në mes të OE Florenti&Korabi dhe operatorit që është rekomanduar si i përgjegjshëm nga Autoriteti Kontraktues AK-ja ka qenë 853 mijë euro.

“Diferenca në mes të operatorit ankues dhe atij fitues ka qenë 853 mijë euro”, deklaroi ai.

Në lidhje me ankesën e OE Florenti&Korabi, i akuzuari tha se kanë vendosur në bazë të bindjes së lirë dhe konform ligjit të LPP-së.

“Ne kemi votuar sipas bindjes sonte të lirë dhe duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm ashtu siç na udhëzon edhe ligji konform dispozitave në pajtim me dispozitat e LPP-së dhe vota ime ka qenë që ankesa e OE të aprovohet pjesërisht si e bazuar ndërsa të anulohet aktiviteti i prokurimit dhe lënda të kthehet në ritenderim”, deklaroi i akuzuari Tefik Sylejmani.

Sipas të akuzuarit gjatë vendimmarrjes anëtaret e OShP-së mund të vendosin për anulimin e një kontrate nëse një kontratë e tillë është lidhur në mënyrë të kundërligjshme.

“Autorizimet e paneleve shqyrtuese në të gjitha rastet kur ka intonacion se një kontratë është lidhur kundërligjshëm dhe pa kaluar në organin shqyrtues të prokurimit, paneli shqyrtues ka të drejtë të shfuqizojë atë kontratë në kundërshtim me ligjin”, tha i akuzuari.

Në lidhje me pretendimet e Prokurorisë se të akuzuarit kanë vendosur mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, duke votuar pa kuorum vetëm me dy anëtarë, Tefik Sylejmani tha se në përbërje prej dy anëtareve, OShP-ja asnjëherë nuk ka ndërmarrë asnjë vendim në lidhje me shqyrtimin e ankesave.

“Ne kemi mbetur në një situatë kur kemi mbetur dy anëtar të OShP-së, unë dhe Ekrem Salihu, dikush është dashur që ta kryejë punën e kryetarit. Në ligjin e ri që ka hy në fuqi e rregullon edhe më mirë këtë çështje. Në rast se kryetari mungon për shkaqe shëndetësore apo për shkaqe të tjera kompetencat apo funksionet e tij ushtrohen nga anëtari më i vjetër i OShP-së, dhe për koincidencë kam qëlluar unë anëtari më i vjetër i OShP-së”, sqaroi i akuzuari.

Më tej ai tha si ushtrues i detyrës së OShP-së nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me shqyrtimin e ankesave nga operatori ekonomik por se është marrë vetëm me çështje të organizimit të brendshëm të panelit shqyrtues.

“Asnjë vendim lidhur me shqyrtimin e ankesave nuk është marrë pa kuorum kurrë, ushtruesi i detyrës së OShP-së ka të njëjtat kompetenca dhe autorizime siç i ka pasur kryetari, përfaqësimin caktimin e ekspertëve… çështje të organizimit të brendshëm të panelit por asnjëherë në vendosje të ankesave, s’e lejon as ligji e as rregullorja e brendshme e punës së OShP-së”, deklaroi tutje zyrtari i akuzuar i OShP-së.

“A mendoni se në rastin e anulimit të tenderit ka shkuar në humbje FSK-ja”, e pyeti të akuzuarin, prokurori Ibrahim Berisha, por një gjë të tillë e mohoi kategorikisht i akuzuari përkundrazi ai tha se ka tentuar që të shpëtojë 850 mijë euro shtetit sepse kam dashur ta ruajë paranë publike.

Në bazë të pretendimeve të prokurorisë Tefik Sylejmani e Ekrem Salhu në cilësinë e anëtareve të OSHP-së nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2016 e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, pasi që kanë vepruar në dëm të autoritetit kontraktues MFSK.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit  në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company” dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm.

Sipas pretendimeve të prokurorisë ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion te kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm, e më pas kanë nxjerrë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, duke votuar pa kuorum vetëm me dy anëtarë.

Sipas këtij vendimi, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OShP-së, ndërsa vendimi është nënshkruar më pas nga anëtari Ekrem Salihu dhe vetë Tefik Sylejmani.

Me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportet mund t’i gjeni në këtë link.