Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Beteja ligjore mes Xhafer Tahirit dhe Ferit Idrizit për shpifje dhe fyerje, jepet fjala përfundimtare

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e kishte paditur kundërkandidatin për kryetar të Komunës, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, në lidhje me një video-mesazh të publikuar në profilin e tij në Facebook gjatë kohës së fushatës zgjedhore që ishte mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhur me këtë rast në gjykimin që u mbajt sot është shikuar prova e cila i ishte bashkangjitur padisë nga ana e paditësit, Xhafer Tahiri.

“Po ashtu këtë dosje i padituri e ka përdorur për të shpifur dhe për të përhapur të pavërteta lidhur me personalitetin tim edhe në debate televizive, sidomos në ‘Klan Kosova’ dhe fakte të tjera që janë të prezantuara, me qëllim që të përfitojë vota për vete dhe të dëmtojë reputacionin tim dhe figurën time” – tha Tahiri.

Lidhur me administrimin e kësaj prove nuk u pajtua përfaqësuesi i palës së paditur, Ekrem Salihu, duke e kundërshtuar administrimin pasi, sipas tij, prova ishte paraqitur në shqyrtim gjyqësor e jo në seancë përgatitore ashtu siç e parasheh ligji.

Salihu paraqiti edhe katër kallëzime penale si prova të cilat sipas tij përforconin pretendimin e palës së tij, se nuk ka pasur shpifje gjatë debatit televiziv.

I njëjti tha se dy kallëzime penale ishin bërë me 31 korrik të këtij viti kurse dy tjera ishin bërë me 25 dhjetor të vitit 2022.

“I kam katër kallëzime penale që janë parashtruar pranë Prokurorisë Speciale kundër paditësit {Xhafer Tahiri} që janë deponuar pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës të inicuara nga kryetari i Komunës (Ferit Idrizi) që janë të datës 31 korrik 2023, 31 korrik 2023, 25.11.2022 dhe  25.11.2022”- u deklarua Salihu.

Tahiri u kundërpërgjigj në këtë rast duke thënë se janë veprime mbrojtëse të Ferit Idrizit pasi kallëzimet janë bërë një muaj pasi ka filluar gjykimi për këtë rast.

“Këto kallëzime penale janë të pabaza dhe nuk provojnë kurrfarë fajësie, janë thjeshtë për qëllime politike”- tha Tahiri.

Tahiri gjatë dhënies së fjalës përfundimtare qëndroi në tërësi pranë padisë së parashtruar lidhur me këtë  rast.

I pranishëm nuk ishte pala e paditur, Ferit Idrizi, por mbrojtësi i tij qëndroi në tërësi pranë përgjigjes në padi.

Padia ishte precizuar nga paditësi në seancën e datës 8 shtator të këtij viti, duke kërkuar 931 mijë euro dëmshpërblim nga i pari i Vushtrrisë.

Sipas Tahirit, kryetari i tanishëm (i cili vjen nga radhët e PDK-së) e ka bërë këtë me qëllim të përfitimit të votave për vete e në dëm të tij.

Në emisionin #Debatpërnime, ku ishin të pranishëm Idrizi e Tahiri, ky i fundit kishte paralajmëruar padi për atëherë kandidatin e PDK-së e kryetarin aktual të Komunës së Vushtrrisë.

Në debatin në fjalë, Tahiri kishte paralajmëruar që dosja e pretenduar e Idrizit po shfrytëzohej për degradim personal të tij, me ç’rast ai tha: “Ose vet do të dënohem për korrupsion siç thoni ju, ose ju do të dënoheni për shpifje”. “Këtu kompromis nuk ka”- kishte shtuar ai.

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë vitit 2021 kishte paditur kandidatin për kryetar të Komunës, në atë kohë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje.

Tahiri përmes padisë pretendon se Ferit Idrizi më 25 dhjetor 2021 kishte shpërndarë në rrjetin social Facebook një video-mesazh me të cilin u drejtohej qytetarëve të asaj komune, dhe përmendte afera të pretenduara korruptive të kryetarit në detyrë në atë kohë.

Tahiri ishte kryetar i Komunës që nga viti 2017.

Xhaferi në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës, dega Vushtrri, kishe paraqitur si provë një video që Idrizi e kishte shfaqur në profilin e tij në Facebook.

Sipas paditësit, këto deklarata të Idrizit janë shpifje me qëllime politike për të dëmtuar imazhin e tij, pasi që ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor për afera korruptive apo ushtrim të ndikimit në mënyrë të kundërligjshme.

Tahiri deklaratat e Idrizit i ka konsideruar si tendencioze me qëllim të denigrimit të personalitetit të tij prej kryetari të Komunës e në atë kohë kandidat për rizgjedhje. Xhafer Tahiri ishte në garë më të paditurin. Sipas padisë, Ferit Idrizi shpif pa asnjë bazë e argument ligjor me qëllim të përfitimit të votave e pozitës për vete.

Marrë për bazë këto pretendime, Tahiri kishte paditur Idrizin, duke kërkuar nga Gjykata që kjo padi të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Po ashtu, Tahiri nga Gjykata ka kërkuar që të detyrohet Idrizi të largojë nga ta gjitha domenet publike statusin dhe të kërkojë falje.

Krahas këtyre, Tahiri ka kërkuar nga Idrizi kompensim të dëmit material dhe jomaterial në vlerë 9,500.00 euro dhe në fund Gjykatës i është kërkuar që të obligohet i padituri të publikoj në gazetat ditore aktgjykimin e nxjerrë.