Burgu i Dubravës - Foto: Ilustrim

Zhbllokohet Tenderi për Mishin e Burgjeve të Kosovës

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka miratuar kërkesën e Shërbimit Korrektues të Kosovës për heqjen e pezullimit lidhur me tenderin “Furnizim me mish dhe produkte të mishit”, duke i hapur rrugë kështu procedurës së re të tenderimit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte hapur tenderin për “Furnizim me mish dhe produkte të mishit” në tetor të vitit të kaluar. Më 28 dhjetor 2015, Shërbimi Korrektues kishte njoftuar për anulimin e këtij tenderi me arsyetimin se ka pasur më pak se dy ofertues të përgjegjshëm.

Lidhur me këtë tender operatori ekonomik “Apetit” më 30 dhjetor 2015 kishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili e kishte pezulluar në të njëjtën ditë për ta shqyrtuar në mënyrë të rregullt ankesën.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, si autoritet kontraktues, më 29 shkurt 2016 ka kërkuar nga OSHP heqjen e pezullimit lidhur me këtë tender pasi që ky aktivitet prokurimi, sipas tyre, është i një rëndësie të veçantë për Shërbimin Korrektues.

“Duke pasur parasysh se ky tender ka të bëjë me furnizimin me produkte të mishit për qendrat e paraburgimit të cilat menaxhohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe rëndësinë e furnizimit me produktet e kërkuara në këtë tender, Shërbimi Korrektues kërkon heqjen e pezullimit automatik, në mënyrë që të ritenderohet ky aktivitet i prokurimit dhe të kenë mundësi t’i pranojnë ofertat dhe të vazhdojnë me procedura të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.

Tefik Sylejmani, u.d. kryetari i OSHP-së, duke pasur parasysh kërkesën e autoritetit kontraktues – Shërbimit Korrektues, konform nenit 112, pika 2, të Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e Shërbimit Korrektues, njofton po ashtu OSHP.

Sipas Ligjit, nëse kërkohet nga autoriteti kontraktues, kryetari i OSHP-së mund të nxjerrë urdhër për heqjen e obligimit për pezullim automatik të aktivitetit të prokurimit nëse duke marrë parasysh pasojat e mundshme negative që mund të ketë pezullimi në të gjitha interesat që mund të dëmtohen duke përfshirë interesin publik dhe interesin e ankuesit.

Në vendimin e OSHP-së gjithashtu thuhet se u.d. kryetari i i OSHP-së pati parasysh edhe raportin e ekspertit shqyrtues të datës 21 janar 2016, i cili i rekomandon panelit shqyrtues që të aprovohet vendimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe njëherit të refuzohet ankesa e operatorit ekonomik ankues.

Lidhur me vendimin e OSHP-së, KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë “Apetit”, të cilët nuk kanë dashur të deklarohen.

Ndërsa, komunikimi me zyrën për Informim të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka qenë i pamundur gjatë ditës së diel.