Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Xhafer Tahiri kërkon me padi 931 mijë euro dëmshpërblim nga Ferit Idrizi

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar 931 mijë euro dëmshpërblim nga i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizit pas precizimit të padisë të bërë në seancën e 8 shtatorit të këtij viti për shpifje dhe fyerje.

Pas pranimit të ekspertizës financiare të përpiluar nga eksperti Vehbi Imeri, Tahiri në precizimin e padisë kërkoi dëmshpërblim për dëmin moral, jo-moral dhe në emër të dëmit të ardhshëm.

I njëjti u deklarua se këtë shumë të të hollave që po kërkon me padi në formë të dëmshpërblimit, ta derdh në xhirollogaritë bankare të disa prej institucioneve në Vushtrri.

“Pas shqyrtimit të provave kërkoj me respekt nga gjykata që të aprovohet padia e precizuar në vlerën e dëmit që e ka vlerësuar eksperti financiar në lartësi prej 30,992.22 euro, kjo në emër të fitimit të humbur… ndërkohë në emër të dëmit jo-material kërkoj nga Gjykata në zbatim të nenit 183 përkatësisht 186, në lartësinë prej 650 mijë euro të dëmit jo-material dhe në emër të dëmit të ardhshëm – shpërblim të dëmit të ardhshëm 250 mijë euro. Dua të them i nderuar gjykatës se të gjitha mjetet që kërkoj nga kjo padi, kërkoj që të derdhen në xhirollogarinë bankare të këtyre institucioneve në Vushtrri: si, Kryqi i Kuq, Handikos, Shoqata e të Verbërve “Drita Jonë” si dhe shtëpia për qëndrim ditor e të moshuarve pas aktivizimit të saj”.

Kurse përfaqësuesi i Idrizit shprehu pakënaqësi lidhur me bazën dhe lartësinë e dëmshpërblimit, i njëjti u deklarua se nuk është e nevojshme që eksperti financiar të thirret në gjykatë për të dëshmuar.

“Mbetemi në tërësi pranë deklarimeve të deritanishme në këtë çështje juridike-civile, e kam pranuar ekspertizën e ekspertit financiar, të ekspertit Vehbi Imeri, kam vërejtje si për nga baza ashtu edhe për nga lartësia e kërkesëpadisë”- tha përfaqësuesi të paditurit, avokati Ekrem Salihu.

Në këtë seancë, Gjykatës në Vushtrri nga paditësi i’u paraqitën disa prova ku ndër to ishte edhe një USB me video-incizime në të cilën argumentoheshin pretendimet e tij.

Ekrem Salihu i cili përfaqëson të paditurin, kundërshtoi paraqitjen e këtyre provave me arsyen se janë fakte të reja.

“Unë të njëjtat i kundërshtoj fuqishëm sepse këto prova nënkuptojnë fakte të reja, të cilat nuk mund të mirren në shqyrtim nga ana e Gjykatës, sepse të njëjtat paditësi ka mund t`i propozoj qoftë në rastin e deponimit të padisë në Gjykatë apo në seancën përgatitore”- tha Salihu.

I njëjti kërkoi nga Gjyqtari Izet Gërguri që këto prova t`i refuzojë.

Në fazën e administrimit të provave Gjykata hasi në vështirësi pasi që pajisjet teknologjike të tyre nuk mund të shfaqnin videot që ishin në USB-në që e kishte dorëzuar si provë Tahiri.

Në këto rrethana Gjykimi u ndërpre për të vazhduar më datën 6 tetor të këtij viti e ku pritet të bëhet shikimi i videos në fjalë

Xhafer Tahiri kishte paditur kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, lidhur me një video-mesazh që ky i fundit e kishte publikuar në profilin e tij në facebook, gjatë kohës së zgjedhjeve të cilat ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Në ato deklarata të Idrizit, sipas padisë, përmend aferat korruptive të kryetarit të atëhershëm, Xhafer Tahiri. Sipas Tahirit, kryetari i tanishëm, i cili i përket radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka bërë këtë me qëllim të përfitimit të votave për vete në dëm të paditësit.

Se do të paraqes padi për këto deklarata të Idrizit, në emisionin #Debatpërnime në të cilin ishin prezent Ferit Idrizi dhe Xhafer Tahiri, ky i fundi  kishte paralajmëruar padi për kryetarin e tanishëm, Idrizin.

Detaje të tjera lidhur me debatin ku protagonist ishin Tahiri e Idrizi mund t`i ndiqni duke klikuar në këtë LINK, më saktësisht në minutën 28:16:00.

Në debatin në fjalë, Tahiri kishte paralajmëruar që dosja e pretenduar e Idrizit, po shfrytëzohej nga i njëjti për degradim personal me ç`rast i tha se “ose vet do të dënohem për korrupsion siç thoni ju ose ju do të dënoheni për shpifje”- kishte thënë Tahiri gjatë debatit.

“Këtu kompromis nuk ka”- kishte shtuar ai.

Ish-kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri,  gjatë vitit 2021 kishte paditur kandidatin për kryetar të komunës  së Vushtrrisë, në atë kohë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje.

Tahiri e Idrizi në atë kohë ishin që të dy kandidat për kryetar të komunës, bëhet fjalë për zgjedhjet e tetorit të vitit 2021. Të njëjtit gjendeshin në fazën e balotazhit.

Tahiri përmes padisë pretendon se, Ferit Idrizi, më 25 dhjetor 2021 kishte shpërndarë në rrjetin social Facebook, një video mesazh me të cilin iu drejtohej qytetarëve të asaj komune, ku në video përmendej video të aferave korruptive të Kryetarit Xhafer Tahiri.

Tahiri ishte kryetar i komunës që nga vitit 2017.

Xhaferi në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës dega Vushtrri, kishe paraqitur si provë një video që Idrizi e kishe shfaqur në profilin e tij në Facebook.

E sipas paditësit, këto deklarata të Idrizit janë shpifje me qëllime politike për të dëmtaur imazhin e Tahirit, pasi që ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor për afera korruptive apo ushtrim të ndikimit në mënyrë të kundërligjshme.

Tahiri deklaratat e Idrizit i ka konsideruar si tendencioze me qëllim të denigrimit të personalitetit të tij prej kryetari të Komunës e në atë kohë konditat për rizgjedhje e ku në garë më të paditurin, ky i fundit shpif pa asnjë bazë e argument ligjor me qëllim të përfitimit të votave e pozitës për vete.

Marrë për bazë këto pretendime, Tahiri, kishte paditur Idrizin, duke kërkuar nga gjykata që kjo padi të aprovohet në tërësi si e bazuar, tutje, nga gjykata është kërkuar që të detyrohet Idrizi të largojë nga ta gjitha domenet publike statusin dhe të kërkoj falje.

Krahas këtyre, Tahiri ka kërkuar nga Idrizi kompensim të dëmit material dhe jo-material në vlerë prej 9,500.00 euro dhe në fund gjykatës i është kërkuar që të obligohet i padituri të publikoj në gazetat ditore aktgjykimin e nxjerrë.