Ekrem Salihu nga OShP, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare - FOTO KALLXO

Zyrtari i suspenduar i OShP-së: Nuk e kam pritur se do ndiqesha nga drejtësia

Ekrem Salihu, anëtar i Bordit të OShP-së, aktualisht i suspenduar nga detyra, i cili po akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, deklaroi para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk e kishte pritur që do të ndiqej ndonjëherë nga organet e drejtësisë.

I akuzuari Salihu këto deklarime i bëri gjatë mbrojtjes së tij para trupit gjykues në përbërje të Valbona Selimi- kryetare, Naime Jashanica anëtare dhe Vesel Ismaili anëtar, si dhe prokurorit Ibrahim Berisha.

“Me u ndjek unë, nga organet shtetërore që i kam shpëtuar 1 milion euro të trafikohen, se kam besu asnjëherë. Kjo le të jetë në ndërgjegjen e përfaqësuesit të shtetit”, tha i akuzuari Salihu.

Në mbrojtën e tij, ai i mohoi akuzat për tejkalim të kompetencave zyrtare.

“Asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat dhe e ftoj prokurorinë që ta gjejë vetëm një provë me të cilën do ta vërtetonte që unë kam kaluar kompetencat, tha Salihu.

Në seancën e kaluar mbrojtjen e dha anëtari tjetër i suspenduar i OSHP-së, po ashtu i akuzuar për keqpërdorim te detyrës zyrtare, Tefik Syljemani.

 

https://kallxo.com/i-akuzuari-me-anulimin-e-tenderit-per-ushqimin-e-fsk-se-tentova-te-shpetoj-850-mije-euro-te-shtetit/

 

Në këtë proces gjyqësor prokuroria po i akuzon Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në lidhje me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm.

https://kallxo.com/zyrtaret-e-oshp-se-deklarohen-te-pafajshem-per-tenderin-e-ushqimit-te-fsk-se/

 

Në bazë të pretendimeve të prokurorisë Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu në cilësinë e anëtareve të OSHP-së nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2016, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, pasi që kanë vepruar në dëm të autoritetit kontraktues MFSK.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company” dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm.

Sipas pretendimeve të prokurorisë ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomik të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm, e më pas kanë nxjerrë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, duke votuar pa kuorum vetëm me dy anëtarë.

Sipas këtij vendimi, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OShP-së, ndërsa vendimi është nënshkruar më pas nga anëtari Ekrem Salihu dhe vetë Tefik Sylejmani.

Me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.