Ministri i MAShT, Arsim Bajrami, në takim me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto. Foto: MAShT.

Hungaria Ofron 50 Bursa për Studentët e Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në arsim mes shtetit të Kosovës dhe Hungarisë.

Ministri Bajrami tha se shumica e studentëve do të jenë nga fusha e agrokulturës duke pasur parasysh që Hungaria është njëri nga vendet lidere në Bashkimin Europian sa i përket sektorit të bujqësisë.

“Marrëveshja që sapo nënshkruam nënkupton që në vitin e ardhshëm  akademik do të dërgojmë 25 studentë të nivelit BA, 20 të nivelit MA dhe 5 studentë të nivelit PhD. Shumica e studentëve do të jenë në fusha aplikative, sidomos në fusha të agrokulturës, duke pasur parasysh që Hungaria është një vend lider në Bashkimin Evropian sa i përket zhvillimit të bujqësisë, por edhe lider në përgatitjen e kuadrove për agrokulturë”, theksoi ministri Bajrami.

Ndërsa ministri hungarez Szijjarto është shprehur se baza më e mirë e bashkëpunimit fillon përmes njerëzve të rinj dhe se  këtë program do ta vazhdonin në një periudhë afatgjate.

“Baza më e mirë me të cilën mund të ngritet ky bashkëpunim është kontakti mes njerëzve dhe zakonisht ky kontakt fillon mes të rinjve. Për këtë arsye edhe kemi marrë vendimin që të ndajmë  50 bursa për studentët e Kosovës, të cilat financohen plotësisht nga shteti i Hungarisë dhe do të donim që këtë program të vazhdonim për një periudhë afatgjatë”, është shprehur ministri Szijjarto.

Ndërsa në një komunikatë të lëshuar nga MAShT bëhet e ditur se ministri Bajrami ka thënë  se investimi për studentë është investimi më i mirë që mund të bëhet për vendin dhe se kjo marrëveshje po i hap dyert drejt një bashkëpunimi të përhershëm ndërmjet të dyja vendeve.