Hoxha: Prioritet Luftimi i Dhunës ndaj të Miturve

Ministrja Hoxha pas raportimeve dhe shfaqjes së një videoje ku shihet një nxënëse në Ratkoc të Rahovecit duke u rrahur nga familjarë të saj tha se hetimi i dhunës ndaj të miturve do të jetë prioritet i Ministrisë së Drejtësisë.

“Në kuadër të strategjive multidiciplinare të pengimit, raportimit dhe çrrënjosjes së dukurive negative dhe dhunës ndaj të miturve, Ministria e Drejtësisë do t’i trajtojë me prioritet,” thuhet në reagimin e ministres.

Hoxha, sipas një komunikate të lëshuar nga ministria që ajo drejton, bën me dije se “kodi i drejtësisë për të mitur tashmë gjendet në fazën finale të shqyrtimit dhe pritet që këtyre dukurive negative me veprime ligjore t’u jepet zgjidhje adekuate”.

Ministrja kërkoi që rasti i dhunës siç u pa në Ratkoc të Rahovecit të mos përsëritet.

“Jam e tronditur nga rasti i dhunës ndaj të miturës në Rahovec. Rasti i tillë shpresojmë të mos përsëritet dhe organet përgjegjëse duhet të marrin vendime për pengimin dhe luftimin e kësaj dukurie, por edhe çfarëdo dhune”, kërkoi Dhurata Hoxha.

Rastin e dhunës ndaj të miturës të shfaqur në Rahovec e dënuan edhe politikanë të tjerë.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës paralajmëroi protestë të hënën kundër dhunës ndaj vajzave.