Hoti: Marrëveshja e dy Presidentëve na Ktheu në Pikën Zero

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti në konferencën e rregullt për media tha se deklarata mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq për demarkim të kufirit, duhet të ratifikohet shumë shpejt.

“Ne vlerësojmë se është humbur shumë kohë, janë humbur tri vite me debate të kota për këtë marrëveshje dhe tash po kthehemi në pikën zero . Marrëveshja duhet të ratifikohet sa më parë në Kuvend . Këta që e kanë bllokuar deri tash qytetarët e vendit, duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve të vendit”, tha Hoti.

Ai tha se  deklarata mes dy presidentëve konfirmon marrëveshjen që është arritur në vitin 2015 për çështjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ne kërkojmë prej kryeministrit aktual që të sjellë marrëveshje të re që e vendos kufirin në Çakorr që ne do ta votojmë. Duket që kanë qenë vetëm kauza të rreme, tashmë na jemi në pikën zero, ku kemi qenë në vitin 2015 për të ratifikuar marrëveshjen e njëjtë”, pohoi Hoti.

I pyetur nëse LDK do të marrë pjesë në takimin me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për të diskutuar rreth kësaj deklarate, Hoti ka thënë se nuk e sheh të nevojshme konsultimin mes partive.

“Pra nuk ka çka të diskutohet mes partive politike . Koalicioni qeverisës duhet ta sjellë marrëveshjen në Kuvend dhe LDK do ta mbështet normalisht”, tha Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së edhe njëherë përsëriti qëndrimin e këtij subjekti politik që pas përfundimit të demarkacionit, qeveria duhet të japë dorëheqje.

“Tash është mirë që më në fund për të mos thënë u mbushën mend , por reflektuan. Vendi nuk mund të vazhdojë të udhëhiqet nga njerëzit që janë tallur me institucionet, kanë ngritur kauza të rrejshme për të ardhur në pushtet sepse nuk kanë kredibilitet. Andaj ne kërkojmë që sapo të ratifikohet demarkacioni, qeveria duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Hoti.

Madje Hoti u kujdes t’ia atribuojë disa fjalë  Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe partnerëve të tij  qeverisës.

“Kryeministri përdorte fjalë fyese për LDK-në se nuk është e aftë të marrë vendime, tash po del në pah e vërteta.  Shprehja e tij ‘ të ngratë dhe qyqarë’ tash i atribuohet atij dhe partnerëve të tij që e izoluan vendin për tri vite dhe dëmtuan imazhin e vendin në arenën ndërkombëtare”, tha Hoti

Gjatë kësaj konference, Hoti foli edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, duke përmendur edhe vizitat e larta që iu bënë shtetit të Kosovës dhe po ashtu idetë që qarkulluan për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.