Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Haziri: Nuk e kam për vota sepse qytetarët e Luginës nuk kanë të drejtë vote në Kosovë

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë të dhënë për KALLXO.com iu është përgjigjur akuzave se ideja e tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë po shfrytëzohet nga ai për të marrë vota nga qytetarët e asaj ane qe jetojnë në Gjilan e gjithë Kosovën.

Sipas tij, asnjë nga qytetarët e Luginës së Preshevës që janë shpërngulur në Kosovë nuk kanë të drejtë vote.

“Unë iu them me siguri të plotë se ata nuk kanë të drejtë vote sepse nuk kanë as të drejta civile në Kosovë. Kjo është fatkeqësia”, tha Haziri.

“Prej vitit 2013, Kosova nuk ka arritë me amandamentu ligjin për shtetësi dhe me ju gjetë zgjidhje këtyre njerëzve. Ata njerëz nuk kanë letërnjoftim dhe qëndrim të rregulluar si qytetarë të barabartë.  Kanë lindur fëmija paslufte në Kosovë apo Gjilan dhe ende familja e tyre nuk e kanë të rregulluar qëndrimin e tyre. Nuk janë votues, ata janë qytetarë të pabarabartë me ne”, tha tutje Haziri.

Sipas tij, Kosova i ka diskriminuar këta qytetarë në të drejtat e tyre civile.

Kjo është intervista e plotë e Lutfi Hazirit dhënë për KALLXO.com.