Haxhiu: Drejtësia merret me aktivistët e VV-së por jo me ‘jakat e bardha’

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha në debatin për korrupsionin dhe krimin e organizuar se kjo temë do të duhej të trajtohej me interpelancë por kryeministri nuk është.

Ajo theksoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten problemet kryesore.

“Në vazhdimësi flitet se si të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni por në anën tjetër nuk kemi parë veprime konkrete për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni . Sot sistemi i drejtësisë është ngulfatur. Që nga Qeveria Thaçi e qeveritë e tjera nuk e kanë lënë sistemin e drejtësisë për të vepruar. Duhet të thuhet hapur se Devollët e Zhugollët janë pikërisht dëshmitë pse korrupsioni e krimi i organizuar nuk është luftuar. Nuk është sekret që në Kosovë qeveritarët janë pasuruar brenda natës e as nuk u është konfiskuar pasuria e tyre e pajustifikueshme e as nuk janë duke u hetuar për këtë”, theksoi deputetja Haxhiu.

Ajo përkujtoi se Qeveria aktuale i ka 3 ministra me aktakuza.

“Ditën kur u miratua Kodi Penal kryeministri tha se nuk i shkarkon ministrat pa pasur vendim të gjykatës. Nuk ka pasur vullnet, nuk kemi pasur qasje ndryshe nga asnjë qeveri, përkundrazi kemi parë Ministrinë e Drejtësisë të merret me aktivistët e VV-së por jo me hetimin e jakave të bardha”, shtoi ajo.

Albulena Haxhiu tha se nuk ka reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë.

KALLXO.com po e transmeton LIVE debatin e Kuvendit të Kosovës: