Haradinaj takon Zoran Zaevin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, të cilin e ka uruar për përmbylljen me sukses të marrëveshjes për emrin me Greqinë, të njohur si Marrëveshja e Prespës.

“Takova sot homologun tim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilin e përgëzova për përmbylljen me sukses të plotë të Marrëveshjes së Prespës, duke i garantuar popullit dhe shtetit fqinj perspektivë të qartë euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se Kosova qëndron e përkushtuar në ndërtimin e një rajoni stabil dhe në këtë drejtim marrëdhëniet me Shkupin zyrtar janë të shkëlqyera.

Përndryshe, të premten, Kuvendi i Maqedonisë e ka votuar Marrëveshjen e Prespës me 81 vota.