Haradinaj takon drejtorin e Telekomit, flasin për gjendjen në këtë ndërmarrje publike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj ka prit sot në zyrën e tij drejtorin ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin.

Siç ka njoftuar në “Facebook”, kryeministri me drejtorin e Telekomit kanë folur për gjendjen financiare të kësaj ndërmarrjeje publike.

“Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, përfshirë këtu edhe kontratën me Z Mobile”, ka shkruar kryeministri në “Facebok”.

Sipas shefit të ekzekutivit, Qeveria do të angazhohet që të përmirësoj gjendjen e Telekomit.

“Qeveria e vendit angazhohet për qëndrueshmërinë biznesore dhe financiare të Telekomit të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, kompania telekomunikuese “Z- mobile” që është ne pronësi të Blerim Devollit, ka dhënë një afat kohorë Telekmit që të shlyej një borxh prej 25 milionë euro.

Ka qenë reagimi i menjëhershëm i Sindikatës së Telekomit.

“Lidhur me kërcënimin e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, ju bëjmë me dije edhe pronarëve të Z-Mobile por edhe qeverisë se ata do të jenë përgjegjës për kaosin social që mund të shkaktojë ekzekutimi i këtij vendimi. Ne tashmë nuk do të rrijmë durakryq përballë të drejtës sonë për ta mbrojtur kompaninë. Opinioni publik tashmë e di mirë se kush janë shkaktarët e vërtetë të dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet në Telekom.

Borxhi kushtëzon Telekomin për vazhdimin e kontratës me biznesin e Blerim Devollit