Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Borxhi kushtëzon Telekomin për vazhdimin e kontratës me biznesin e Blerim Devollit

Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’.

Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin.

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh.

Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, “Dardafon.net L.L.C” i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.

Besa Shatri, kryesuese e Bordit të Telekomit thotë se vazhdimi i marrëveshjes po është kusht për të parandaluar falimentimin që do të vinte nëse Telekomi obligohet të paguajë borxhin prej 25 milionë euro.

“Realisht po na kushtëzon neve që domosdo me hy me këqyr vazhdimin e kontratës si diçka të obligueshme. Përkundër asaj që shumë herë u përfol në media a duhet me u vazhdu a nuk duhet me u vazhdu, na po jemi të obligueshëm pak a shumë në situatën që jemi me hi në negociata për vazhdim dhe riprogramim të borxhit për shkak se nuk ka mundësi me pagu borxhin. Na qet në disfavor total ky borxh”, tha Shatri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas saj zgjidhja qëndron te Qeveria e Kosovës që është aksionar i kësaj kompanie dhe sipas saj do duhej ta merrte përsipër borxhin për të shpëtuar këtë ndërmarrje.

“Me borxhin aktual që e kemi ne nuk kemi çare pa hyrë në negociata edhe për pagesë të borxhit edhe për vazhdim të kontratës. Deri tash këto nuk janë ndërlidhur por tash nuk kanë çare pa u ndërlidhë sepse është afati i fundit për me pagu dhe që me u ik ndëshkimeve tjera dhe një falimentimi të mundshëm. Nuk ka çare komisioni pa e shti në negocim edhe borxhin aktual”, tha ajo.

KALLXO.com dje ka kontaktuar edhe avokatin e kompanisë Z Mobile, Virtyt Gacaferri, i cili nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

Po ashtu është bërë përpjekje të vihet në kontakt me kompaninë Dardafon, por nuk ka pasur përgjigje në telefonatat në numrin zyrtar të kompanisë. KALLXO.com po pret përgjigje në pyetjet e drejtuara tek kompania Z Mobile.

Të hënën nisin diskutimet për ‘fatin’ e Telekomit

Udhëheqësia e Telekomit të Kosovës të hënën pritet që të takohet me përfaqësues të Qeverisë për të diskutuar situatën e ndërmarrjes pas paralajmërimit të ‘Z-Mobile’ se do të përmbarojë borxhin prej 25 milionë euro.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës ka thënë se e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës me këtë situatë megjithëse pati shumë kritika lidhur me interferimin politik që sipas tij po bëhet në negociatat midis operatorëve.

“Krijohet edhe një borxh 5 milionë taksa të përmbaruesit, shteti prapë po dëmtohet. Nuk di kujt po i konvenon kjo situatë. Luftë prej institucioneve, direkt prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të krijohet një borxh ma i madh dhe le të ju plotësohet ajo dëshira që janë duke e proklamu, falimentimin e Telekomit”, tha Istrefi për KALLXO.com.

Ai specifikisht tha se këtë situatë po e dëshiron ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

“Këtu janë duke punuar disa institucione me direktiva para politike që mu çu nesër mëngjes me thanë: Falimentoi Telekomi. Nëse arrijmë negociata të shëndosha ne mundemi me tejkalu këtë situatë. Nëse veç kërkon ai me insistu në obligimin financiar 25.6 milionë me ju qitë në llogari për Telekomin është e papërballueshme dhe vjen një situatë që është duke e dëshiruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, falimentimin. Falimentimin e ka ai në tavolinë”, tha Istrefi.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se kjo deklaratë “nuk ka sens”.

“Nuk kisha dashtë me komentu se s’po besoj që ka thënë diçka të tillë se nuk ka sens. Shpresoj që nuk është duke bërë ndonjë deklaratë të tillë se kjo realisht është edhe jashtë çdo normaliteti. Për këtë arsye nuk jemi të përfshirë në këto negociata, pikërisht unë i kam rezistu edhe rezolutës në Parlament që politika të mos përfshihet. Jemi duke monitoruar grupin e negociatave, nëse e shohim se po devijojnë nga interesi i Telekomit do të marrim masa”, tha Lluka.

Skenari i vazhdimit të kontratës me Z Mobile

Një kontratë e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile në vitin 2009 parashihte që kjo e fundit të ishte operator virtual i “Vala-s”.

Megjithatë, kompania Z Mobile nën pretendimin se Telekomi nuk iu përmbajt kontratës, e dërgoi atë në arbitrazh me vendimin e të cilit Telekomit i pati borxh 33 milionë euro.

Në ditët e sotme, ky borxh ka mbetur në rreth 25 milionë euro.

Kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri theksoi se do të bëjnë ekspertizë për koston dhe benefitet e një kontrate të re eventuale.

Sipas saj, duhet punuar që të evitohet një arbitrazh i dytë nëse vazhdohet kontrata.

“Negociata janë me komisione në nivele teknike që në fund vijnë me një rekomandim. Përveç kësaj Telekomi për shkak se kontrata ekzistuese ka sjell shumë probleme në aspektin ligjor dhe të interpretimit ligjor kemi angazhuar një grup të ekspertëve. Ata do të japin ato modifikimet e tyre nëse duhet me hi në kontratë me i dhanë komentet me modifikimet e mundshme që duhet me u bo në mënyrë që mos me pas arbitrazh të rradhës”, tha ajo.

Skenari i falimentimit të ndërmarrjes publike

Kryeshefi i Telekomit, Kryesuesja e Bordit por edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik kanë konstatuar se detyrimi i ndërmarrjes që ta paguajë borxhin prej rreth 25 milionë euro menjëherë do të thoshte falimentim për Telekomin.

Kjo vlen për një përmbarim eventual që në praktikë do të thotë edhe disa miliona të tjera në taksa të përmbaruesit.

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi tha se shuma e tillë është e papërballueshme për Telekomin dhe do t’i linte 2 mijë e 500 punëtorët e kësaj ndërmarrje në rrugë.

“Jam optimist se do të arrihet një marrëveshje për të shmangur përmbarimin dhe bllokimin e llogarive, sepse nëse ndodh ajo situatë Telekomi nuk do të mund ta përballojë dhe do të kemi 2500 punëtorë në rrugë. Nëse arrijnë me pas negociata të shëndosha pa interferime të jashtme politike atëherë mundemi me arrit me tejkalu këtë situatë.”, tha Istrefi.

Reagim të ashpër patën edhe punëtorët e kësaj ndërmarrje përmes Sindikatës.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta lidhur me ‘kërcënimin’ e falimentimit të ndërmarrjes.

“Nëse dikush tenton që 2,500 punëtorë të Telekomit t’i le pa punë duke ua vjedhur hapur të hyrat e tyre, si dhe 1,100 punëtorë të Postes të cilët varen edhe nga të hyrat e Telekomit,  ne i paralajmërojmë fuqishëm se me djersën tonë nuk do ta gëzojnë dot si pasuri të tyre”, kanë ata.

Edhe Besa Shatri tha se falimentimi i ndërmarrjes do të largonte nga puna rreth 3 mijë punëtorë, përfshirë edhe ata të Postës së Kosovës.

“Borxhi aktual nëse shkon në përmbarim len 2,500 punëtorë tonë edhe 1,000 të Postës, 3 mijë e 500 familje mbesin pa të ardhura. Kjo e kap komplet PTK-në sepse dihet që Posta është e varur nga Telekomi, nga qiraja që e paguajmë ne”, tha Shatri.

“Qeveria ish dashtë me e marrë përsipër për shkak se ky është borxh i trashëguar, mundësitë nuk janë me pagu. Është një pjesë e përgjegjësisë edhe te aksionari, nëse e sheh që Telekomin si kompani që duhet me vazhdu me operu në treg është koha që duhet me tregu përkrahje dhe ta marrë përsipër këtë borxh”, shtoi ajo.

Pronarët e kompanisë “Dardafone.Net” dhe menaxhmenti i Telekomit kishin arritur një marrëveshje për pagesën e borxhit dhe vazhdimin e kontratës, mirëpo të njëjtën nuk e ka miratuar bordi aktual, që udhëhiqet nga Besa Shatri.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Borxhi tani sipas Telekomit sillet rreth 25 milionë euro.