Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj: Shpejt do t’i Kthehem Punës për Vendin Tim

Në një postim në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se nuk e shqetëson “Klani i Millosheviqit”.

“I kam respektuar ligjet e vendit tim dhe ligjet ndërkombëtare! Jam përballur me akuzat më monstruoze të prodhuara nga vrasësit e popullit tim dhe në një proces të gjatë e të mundimshëm, jam shpallur i pafajshëm për të gjitha pretendimet, nga instanca më e lartë e drejtësisë ndërkombëtare. Këtij verdikti i është bindur krejt Bota!”, ka shkruar ai.

Më tej, Haradinaj shkruan se të vetmit që vazhdojnë të merren me këtë punë janë politikanët e “Klanit të Millosheviqit, të cilët më nuk kanë kurrfarë fuqie që në emër të, gjoja drejtësisë, t’i shtyjnë agjendat e tyre politike, dhe unë nuk i marr fare seriozisht!”.

“Shpejt do t’i kthehem punës për vendin tim. Ky është i vetmi preokupim imi!”, ka shkruar Haradinaj.

Të enjten, Gjykata e Apelit e qytetit Colmar në Francë ka shtyrë vendimin lidhur me rastin e Ramush Haradinajt për datën 2 mars.

Haradinaj është arrestuar më 4 janar të këtij viti në aeroportin e Basel-Mulhouse sipas një fletarresti të lëshuar nga autoritete serbe të vitit 2004.

Lideri i AAK-së aktualisht gjendet në liri por nuk guxon të largohet nga Franca deri në marrjen e një vendimi lidhur me kërkesën për ekstradim.

Më 12 janar, gjykata franceze e kishte liruar me kusht ish-komandantin e UÇK-së, të cilin autoritetet serbe e akuzojnë për krime lufte, të kryera gjatë luftës së viteve 1998/1999.

http://kallxo.com/haradinaj-lirohet-kusht/