Haradinaj: Serbia po shkel të drejtat njerëzore me ndalimin e serbëve të Kosovës

Pasi foli para ministrave për një masë të mundshme ndaj Serbisë në lidhje me ndalimin e serbëve të Kosovës në kufi me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinja u deklarua edhe para gazetarëve për këtë çështje.

Haradinaj tha se ende nuk e ka menduar masën por tha se Kosova ka heshtur tashmë një vit ndaj këtyre veprimeve.

“Edhe na mundemi me thirr AKI-në dhe më bë të njëjtën gjë po s’besoj që është në interes të fqinjëve kjo”, shtoi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit tutje tha se Serbia po shkel edhe të drejtat e njeriut me ndalime të serbëve të Kosovës.

“Është një veprim sistematik dhe janë duke i shkelur të drejtat njerëzore edhe këta janë serbë dhe duhet të jetojnë dhe mbijetojnë në Kosovë dhe kur shkojnë në Serbi keqtrajtohen, por ne duhet te reagojmë sepse që tashmë një vit kemi heshtur për këto por do të veprojmë”, tha Haradinaj.

Ditën e djeshme, Haradinaj ka bërë të ditur se këshilltari i tij Srdjan Jovanoviç, është ndaluar nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës në Serbi.