Haradinaj: Kosova dhe Serbia kanë dallime por mund të arrihet një marrëveshje

Kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Poznan të Polonisë.

Me këtë rast, Haradinaj ka konfirmuar pozicionin e Kosovës dhe angazhimin në proceset rajonale, duke thënë se Kosova është zotuar për procesin e Berlinit dhe është angazhuar për të arriturat e këtij procesi në vazhdimësi.

Poashtu, ai tha se edhe zotimet që dalin nga Samiti i Poznanit, Kosova si palë serioze i merr me përgjegjësi të plotë për zbatimin e tyre.

Duke folur rreth procesit të finalizimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj tha se ka dallime të mëdha ndërmjet dy vendeve që munden dhe duhet të zgjidhen.

“Unë dua të shoh rritje të tregtisë, pa barriera, midis dy vendeve tona. Por kjo nuk është një çështje e thjeshtë – ekziston një kontekst më i gjerë politik ku duhet të merren vendime të guximshme. Është e domosdoshme Marrëveshja Kornizë e Përbashkët mbi Dialogun mbi Njohjen e Ndërsjellë në kufijtë ekzistues midis dy shteteve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke e vlerësuar se kjo është rruga e vetme përpara dhe Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi.

Në këtë sesion të pranishëm ishin Kryeministri i Polonisë, Mateusz Moraëiecki, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, kryeministra dhe ministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, përfaqësues të shteteve, organizatave si dhe përfaqësues të BERZH, OECD, RYCO.