Haradinaj: Institucionet të Merren me Tema të Rëndësishme

Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj në një dalje para gazetarëve folën për zhvillimet në Kosovë.

Krerët e AAK-së dhe Nismës dolën sot në një konferencë ku folën për gjendjen aktuale në vend.

Gjatë konferencës Haradinaj u kërkoi institucioneve të merren me tema tjera më të rëndësishme dhe të mos eksperimentojnë me asociacionin e demarkacionin.

“Kërkojmë që institucionet e vendit të mos vazhdojnë më tutje me eksperimentu me këto tema por me u drejtu nga temat që janë më me rëndësi për Kosovën e që lidhen me rendin dhe ligjin, luftën kundër korrupsionit dhe temat që lidhen me zhvillimin ekonomik,” tha Haradinaj.

Haradinaj kërkoi më tutje që Ligji për “Trepçën” të përfshijë edhe ata që kontribuuan për të.

“Rezultat i punës opozitare dhe kundërshtimi i një qasje të tillë kemi më në fund një zgjidhje për Trepçën pra me ligjin, por ligji po ashtu nuk mundet të anashkalojë kontribuuesit në dekada për ‘Trepçën’,” tha  lideri i AAK-së.

Drejtuesi i Nismës Fatmir Limaj Ligjin për “Trepçën” e konsideroi meritë të angazhimit të opozitës.

“Ne si opozitë kemi detyruar Qeverinë e Kosovës të tërheq një projektligj të dëmshëm për Trepçën dhe sot do të keni një ligj që është rrënjësisht ndryshe nga ai që ka qenë më herët dhe që kanë insistuar koalicioni qeverisës në kohën e kaluar për ta votuar,” tha Limaj.

Ndërsa Ramush Haradinaj tha se asociacioni dhe demarkacioni janë dy produkte të qeverisë ndërsa opozita sipas Haradinaj ka shpëtuar Kosovën nga dy rreziqe.