Foto: ZKM

Haradinaj i ra qosh më qosh Pejës, por nuk e takoi kryetarin e saj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës se sotme nëpër biznese të Pejës, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve prodhuese.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, tha se në tregun tonë ka mundësi të bëhet edhe më shumë, andaj kërkoi nga të gjithë qytetarët e vendit, por edhe bizneset që t’i kthehen idesë që produkti ynë të zë vendin së pari në Kosovë e pastaj të dalë në tregun e jashtëm.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi se politikat tatimore në Kosovë janë ndër më të mirat që i ka bota, duke theksuar se tashmë janë krijuar lehtësira në tatimin e lëndës së parë, të makinerisë prodhuese, dhe ajo që duhet bërë në Kosovë është mbushja e tregut me mallra të vendit.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj u tha bizneseve në Pejë se Qeveria i ka kushtuar kujdes investimeve nacionale për këtë trevë dhe punimet e autorrugës për Pejë edhe pse janë vonuar do të fillojnë në maj të këtij viti, e që është ndihmesë për zhvillimin ekonomik të kësaj treve.

“Jeni në dijeni që autostrada e Dukagjinit, Istog-Pejë, Deçan- Gjakovë, Rahovec-Prizren, është në fazën e leximit publik dhe të gjitha procedurat do të jenë të gatshme për shpallje të procedurave për ndërtim në muajin tetor”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se me përmbylljen e infrastrukturës vendi kthehet në një lider në rajon në infrastrukturë dhe njëkohësisht me lidhje të mira infrastrukturore me ekonomitë e rajonit.

Në këtë takim me përfaqësues të bizneseve, kryeministri Haradinaj foli edhe për vendosjen e taksës për produktet serbe, duke thënë se ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë, por për shkaqe politike, dhe koha kur do hiqet taksa do jetë atëherë kur Serbia t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë.

Gjatë bashkëbisedimit të kryeministrit Haradinaj me përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Pejës, u ngritën shumë tema që kanë të bëjnë me ekonominë, si çështja e punëtorëve të kualifikuar përmes hapjes së shkollave profesionale, subvencionet, çështjet tatimore, infrastruktura ligjore, rritja e kualitetit të prodhimeve “Made in Kosova” dhe tema tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Haradinaj u tha përfaqësuesve të bizneseve se ia vlen që të planifikojnë që shumë veprimtari ekonomike të cilat do t’i shpërndajnë në vende tjera, t’i koncentrojnë në vendin e tyre, për shkak se këtu do të ndodh zhvillimi dhe Kosova do të bëhet adresë e fuqishme ekonomike.

Haradinaj sot ka vizituar fabrikën e përpunimit dhe prodhimeve nga druri “Ukaj”, ku është pritur nga drejtori Sheqer Ukaj. Ai kërkoi nga kryeministri që të inkurajojë të rinjtë që të qëndrojnë dhe të punojnë për Kosovën.

Kryeministri tha se fillimi i pjesës së ekonomisë në Pejë ka shumë simbolika, pasi Peja është prej qendrave ekonomike më të forta të Kosovës dhe ka shumë brende që janë brende jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Falënderoj kompaninë “Ukaj” për investimet e mëdha që i kanë bërë me teknologjinë më të re të mundshme. Ne importojmë produkte të drurit, mbi 60 milionë euro, por shpresoj që qytetari ynë të orientohet sa më shumë nga këto produkte të cilat tregjet e huaja po i kërkojnë”, tha kryeministri Haradinaj.

Më pas, kryeministri ka vizituar edhe birrarinë e Pejës, ku nga drejtuesit e saj , Blerim dhe Shkëlqim Devolli, është njoftuar për sukseset që kanë shënuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e jashtëm.

Kryeministri Haradinaj, duke uruar për punën e mirë që bënë birraria Peja tha se tradita familjare po vazhdon me prodhim, fabrikë kjo e cila ka të punësuar 250 persona, 750 të tjerë në distribucion, por edhe veprimtari të tjera ekonomike që udhëhiqen nga i njëjti pronar.

Duke qenë se kjo kompani paguan 22 milionë euro tatime në buxhetin e Kosovës, kryeministri Haradinaj i ka përgëzuar për të arriturat në punë, e po ashtu i ka inkurajuar për rritje ekonomike dhe për zhvillim.

Vizitën e radhës, kryeministri Haradinaj e ka bërë në fabrikën e përpunimit të mishit “Buquku”, duke thënë se edhe kjo familje, si shumë të tjera në Pejë, po e vazhdon traditën e të parëve të saj dhe jo vetëm Peja dhe kjo trevë, por e tërë Kosova me të drejtë u beson prodhimeve të kësaj fabrike.

Kryeministri Haradinaj tha se investimi në këtë fabrikë ngritë çdo parametër të kësaj industrie, duke shprehur gatishmërinë që t’u qëndrojë afër në zgjerimin e industrisë, për të cilën tha se është serioze, e besueshme dhe me kualitet cilësor.

Në kuadër të vizitave nëpër bizneset e Komunës së Pejës, kryeministri Haradinaj, vizitoi edhe korporatën “Devolli” në kuadër të së cilës funksionon fabrika e prodhimit të mobileve, kafes dhe produkteve tjera, ku është pritur nga pronarët, drejtori gjeneral Ismet Bojku, nga të cilët është njoftuar për vazhdimësinë e punës dhe planet zhvillimore të korporatës e cila ka të punësuar mbi 2000 persona në Kosovë.

Shefi i Qeverisë  tha se është një projekt i madh serioz me të cilin mund të mburret Kosova, për shkak se mbi 90 për qind e veprimtarive të kësaj korporate janë prodhime të cilat kanë besimin e qytetarëve të vendit, prodhime që e kanë fituar besimin edhe të tregut të jashtëm.

“Jam i bindur se ajo që kemi dëshirë ne të shohim sa më shumë “Made in Kosova” të gjendet në të gjithë tregun e botës, në Amerikë dhe më tutje”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj bëri homazhe te shtatorja dhe Kulla e atdhetarit Haxhi Zeka me rastin e 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës.

Kryeministri Haradinaj tha se sot janë dy data, fillimi i punimeve të Kuvendit të Lidhjes së Pejës, që ka zgjatur deri më 28 janar dhe ka nxjerrë në atë kohë dy dokumente të rëndësishme, me të cilat është definuar e drejta e shqiptarëve.

Kryeministri Haradinaj, tha se këtë vit do të fillohet me autostradën më të madhe në Kosovë, atë Pejë-Prizren, dhe se Dukagjini nuk ka qenë kurrë më i përkrahur sesa tash me projektet nacionale.

Në vizitën e tij në Pejës, kryeministri Haradinaj nuk është takuar me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxherin.

I pari i Qeverisë e kishte paditur në vitin 2015 Gazmend Muhaxherin për deklarata “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake “Der Standard”.

Kryeministri Haradinaj kërkonte 250 mijë euro dëmshpërblim nga kryetari i Pejës përmes Gjykatës.

Por në fund të vitit 2018, Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë padinë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e kishte ngritur ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.