Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj i njofton ministrat për aksionin e policisë në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në fillimin e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka raportuar para ministrave të tij për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Haradinaj tha se i gjithë operacioni është zhvilluar me bazë ligjore dhe nuk pasur asnjë motiv tjetër.

“Me urdhër të Prokurorit ka ndodhë një operacion policor arrestimit dhe bastisjes së disa personave të përfshirë në vepra te korrupsionit dhe vepra të tjera. Policia këtë aksion e ka bërë në dy ditët e fundit, jo vetëm sot në mëngjes. Urdhri i Prokurorit ka qenë arrestim dhe bastisje.  Operacioni është zhvilluar në bazë te ligjit, nuk ka qenë motiv për çfarëdo tjetër”, tha Haradinaj.

Tutje ai tha se në disa zona operacioni ka shkuar shumë mirë, mirëpo në Zubin Potok ka pasur rezistence, me barrikada dhe armë zjarri.

“Policia s’ka përdorur shumë forcë. I kemi dy policë të plagosur, njëri me armë zjarri. Njëri është plagosur në kuk, por është jashtë rrezikut për jetë.  Apeloj ndaj serbëve ne veri ta ruajnë qetësi. S’janë veprime ndaj asnjë etniteti”, tha kreu i Qeverisë.

Haradinaj ka falënderuar Policinë për aksionin në veri derisa ka shtuar se Ushtria s’ka qenë e kyçur se s’ka pas asnjë arsye.

“I kemi njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare”, theksoi ai.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka marrë një aksion në komunat veriore ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe të plagosur.