Haradinaj emëron kundërligjshëm kryesues të Bordit, ish- asamblistin e AAK-së

Dje, gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj kompletoi shtatë Borde të ndërmarrjeve publike.

Kompania e Ujitjes “Drini i Bardh sh.a.” në Pejë nga dje në krye të bordit do të ketë Galdim Krasniqin, mirëpo ky emërim është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

KALLXO.com ka zbuluar se Galdim Krasniqi ka qenë asamblist i partisë së Ramush Haradinajt në Kuvendin Komunal të Pejës në mandatin e kaluar, përgjatë vetive 2013-2017.

Këtë, e ka konfirmuar edhe vetë Krasniqi në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com.

“Tash nuk jam anëtar i AAK-së në Pejë, për momentin jo, më herët po. Në zgjedhjet e fundit nuk kam qenë asamblist, por para këtij mandati po. E kam lanë me u shkëput pak prej politikës”, ka thënë shkurt Krasniqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ish-kryetarin e Pejës nga radhët e AAK-së dhe kryetarin e degës të kësaj partie, Ali Berisha për të pyetur nëse aktualisht Galdim Krasniqi ka ndonjë funksion në parti.

“Bukur shumë kohë Galdimi nuk ka ndonjë funksion në parti, nuk ka marrë pjesë as në zgjedhjet lokale as qendrore, këto të fundit. Ka qenë asamblist i AAK-së në 2013 deri sa ka përfunduar mandati. Ka qenë anëtar i strukturave të partisë”, ka thënë Berisha.

Galdim Krasniqi po ashtu ka edhe fotografi të publikuara me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Neni 15, pika 4 e Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon se kandidatët për bord duhet të jenë ekspertë, ose së paku adekuatë për pozitën e kërkuar. Kurse Neni 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Sipas këtij neni, ky anëtar i bordit nuk do duhej të kishte qenë i zyrtar i zgjedhur publik deri në 36 muaj para aplikimit, mirëpo ai e ka mbajtur mandatin deri në fund të vitit 2017, që i bie më së shumti deri para 19 muajve.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

https://kallxo.com/politizimi-i-bordeve-qe-alarmoi-diplomatet-e-huaj-ne-kosove/

Një nga vendimet e para që Kryeministri Ramush Haradinaj kishte bërë me të marrë mandatin ishte  shkarkimi i anëtarëve të bordeve. Shkarkimi, sipas vendimit të qeverisë, ishte bërë  bazuar në një opinion të Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkak të lidhjeve politike të anëtarëve të bordeve.

Shkarkime Selektive të Anëtarëve të Bordeve