Koha kur Albin Kurti zotohej për borde të pa politizuara (VIDEO)

Qeveria në detyrë, të enjten kishte vendosur që t’i shkarkojë bordet e disa ndërmarrjeve publike, të cilat i kishte zëvendësuar menjëherë me borde të përkohshme.

Mirëpo emërimet e bordieve të përkohshme të drejtorëve ngjallën reagime në publik, për shkak se disa prej të emëruarve janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje apo kanë qenë kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë si dhe kandidatë të partive në koalicion me LVV-në.

KALLXO.com ka publikuar lidhjet politike të të emëruarve nëpër këto borde.

Qeveria në detyrë ka emëruar kryesues të bordit të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, ish kandidatin e saj për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Mentor Hysenin.

Në po këtë bord, si anëtar bordi, qeveria ka emëruar edhe ish- kandidatin për deputet të partisë së ministres Emilija Rexhepin, Seat Bilbanin. Ky i fundit kishte qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 2017.

Mirëpo, në të kaluarën, sa ishte pjesë e opozitës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte deklaruar se borde politike nuk do të ketë në mandatin e tij.

Ai në DebatPërnime, pak para zgjedhjeve të 6 tetorit kishte deklaruar se kur të vijnë në pushtet do t’i shpëtojnë ndërmarrjet publike nga nepotizmi.

“Ne mendojmë që ndërmarrjet shoqërore t’i shpëtojmë nga privatizimi e likuidimi, ndërsa ndërmarrjet publike t’i shpëtojmë nga privatizimi e nepotizmi”, kishte thënë Kurti në Debat Pernime pak ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, Kurti kishte qenë edhe më i vendosur.

Ai kishte deklaruar në DebatPërnime se do të depolitizohen bordet dhe nuk do të ketë më në borde njerëz me libreza të partive

“Ne do t i departizojmë dhe depolitizojmë bordet, nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive ose me mbiemra të përveçëm që janë përzgjedhë”, ishte shprehur Kurti 2 ditë para zgjedhejve të 2017.

Përveç Mentor Hysenit e Seat Bilbanit që kanë qenë kandidatë për deputetë, KALLXO.com ka gjetur se edhe dy anëtarë të tjerë të bordeve kanë qenë pjesë LVV-së.

Madje këtë e kishte pranuar publikisht edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Abdullah Lala në një bisedë për KALLXO.com e ka konfirmuar së është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. I njëjti është emëruar anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës- Infrakos”.

Edhe Artan Dërmaku është emëruar anëtar bordi në po këtë ndërmarrje dhe i njëjti është konfirmuar që është pjesë e LVV-së, nga vet ministrja, Rozeta Hajdari