Haradinaj i 'bën nder' Veselit, ia rehatoi anëtarin e PDK-së në Bordin e 'Radoniqi'-t

Në mbledhjen e 18 qershorit, qeveria e Ramush Haradinajt ka emëruar anëtarët e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, e ndër to edhe të Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Radoniqi – Dukagjini” në Gjakovë.

Në Bordin e kësaj Kompanie publike, kryeministri Haradinaj ndër të tjerë emëroi edhe anëtarin e PDK-së në Prizren, Rexhë Ukaj.

Ukaj është anëtar i PDK-së dhe në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ai shihet duke lobuar për “dekadën e re” të partisë së Kadri Veselit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ukaj ka thënë se nuk ka shkelje të ligjit, pasi sipas tij, nuk ka dhe nuk ka pasur ndonjë pozitë udhëheqëse në PDK.

“Kam qenë vetëm anëtar. Përndryshe jam konsultu edhe me ligjin dhe pika 17 e qartëson shumë mirë, që bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, e unë këto nuk i kam pasë dhe meqenëse që nuk i kam pasë, edhe kam apliku. Unë kam qenë anëtar i PDK-së, nuk e mohoj, por tash jemi në proces zgjedhor dhe nuk do të jem pjesë nëse ka shkelje”, ka thënë Ukaj në përgjigjen e tij.

Neni i 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i Bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë anëtarët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i ermëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një nga proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

https://kallxo.com/politizimi-i-bordeve-qe-alarmoi-diplomatet-e-huaj-ne-kosove/

.