Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës
Ministrat e LDK-së nuk i votuan bordet politike të Qeverisë Kurti
Qeveria në detyrë, në mbledhjen e djeshme ka vendosur të shkarkoj disa borde e t’i emëroj bordet e përkohshme.
KALLXO.com ka shkruar se në emërimet e bordeve të përkohshme janë njerëz që janë të lidhur ngushtë më Lëvizjen Vetëvendosje.
KALLXO.com merr vesh se asnjë nga ministrat në detyrë të LDK-së, që janë pjesë e kabinetit qeveritar nuk kanë votuar për emërimet e bordeve të LDK-së.
“Ministrat e LDK-së në Qeverinë e Kosovës nuk e kanë votuar asnjë propozim të Qeverisë për bordet e përkohshme. Nuk kanë marrë fare pjesë në votim. Poashtu, ministrat e LDK-së nuk kanë votuar as për vendimin për Telekomin e Kosovës, për të cilën ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, i ka thanë KALLXO.com një zyrtar i lartë i LDK-së.
Abdullah Lala, Seat Bilbani, Mentor Hyseni, Artan Dërmaku, janë 4 personat e emëruar në bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike.
Abdullah Lala në një bisedë për KALLXO.com e ka konfirmuar së është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. I njëjti është emëruar anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës- Infrakos”.
Mentor Hyseni është emëruar kryesues i Bordit të Përkohshëm të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Mentor Hyseni kishte qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit.
Artan Dërmaku është emëruar anëtar bordi në po këtë ndërmarrje dhe i njëjti është konfirmuar nga vet ministrja, Rozeta Hajdari së është pjesë e LVV-së.
Në KRU “Prishtina”, anëtar bordi u emërua edhe Seat Bilbani, i cili në 2017 kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e partisë së ministres në detyrë të Qeverisë, Emilja Rexhepi.
Anëtarët e emëruar dje në bordet e përkohshme do të kenë mandat 6 mujor, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Autoriteti i Konkurrencës: Me vendimin për Telekomin, qeveria krijoi monopol
.