Haradinaj dënon sulmin ndaj autobusëve me pelegrinë serbë
21.10.2018 - 22:10
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas sulmit në Istog ndaj dy autobusëve me pelegrinë serbë që po e vizitonin një tempull fetar.
Në një deklaratë të bërë në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj e ka quajtur këtë sulm si të papranueshëm dhe të dënueshëm, pa marrë parasysh kryerësit apo motivet.
“Kosova dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për paqe dhe stabilitet dhe çfarëdo sulmi mbi qytetarët është atak ndaj vlerave të përbashkëta europiane, dhe si i tillë është në dëm të Republikës sonë!”, ka shkruar Haradinaj.
Kryeministri ka kërkuar nga mekanizmat e zbatimit të ligjit që sulmuesit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë.