Ramush Haradinaj-Gazmend Muhaxheri

Greva shtyn përballjen e Ramush Haradinajt me Gazmend Muhaxherin në gjykatë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për shkak të grevës nuk do të përballen sot në Gjykatën Themelore të Pejës siç ishte paracaktuar.

Seanca e paraparë të mbahej sot për padinë për shpifje që shefi i ekzekutivit i ka bërë të parit të Pejës do të mbahet në muajin shtator pasi që avokatët e palëve për shkak të grevës kanë kërkuar shtyrjen e seancës.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi gjyqtarja e rastit, Ganimete Puka.

“Avokatët me parashtesë na kanë njoftuar se për shkak të grevës nuk do të marrin pjesë në seancë. Seanca e radhës do të mbahet më 4 shtator”, tha Puka.

Haradinaj ka paditur Muhaxherin pas akuzave që ky i fundit adresoi vite më parë ndaj aktualisht numrit një të Qeverisë, se gjoja po bën para me benzinë dhe lojëra të fatit.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj kishte paditur Kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherin për shkak të deklaratave “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake Der Standard.

Padia ndaj kryetari të Pejës ishte bërë pas këtyre deklaratave, ku kishte akuzuar Haradinajn se  “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit” në Pejë.

Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim  nga kreu i komunës së Pejës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me ecurinë e këtij rasti ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!