Gjykimi për vrasjen e policit (Arkiv) | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Vrasjen e Policit në Skenderaj

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës vazhdoi gjykimi kundër Maliq Birinxhiku, të akuzuarit për vrasjen e policit Valon Goxhuli.

Në seancë dëshminë e tyre e dhanë Afrim Kadriu dhe dy vëllezërit e të pandehurit Behar Birinxhiku dhe Kasim Birinxhiku.

Pas pyetjes së prokurorit Njazi Rexha, dëshmitari Afrim Kadriu tregoi atë se çfarë kishte parë ditën e vrasjes.

“Atë ditë kam qenë në lokal, i kam dëgju krismat te stacioni i autobusëve, pas pak kohe janë degju edhe të shtëna e në atë moment kam dalë prej lokalit ( mishtores), kom shiku poshtë ishin grumbullu njerëzit dhe unë kam ngajt në drejtim të vendit të ngjarjes dhe i kam ndihmu policisë “, tha dëshmitari.

Po ashtu dëshmitari deklaroi se krismat që i kishte dëgjuar kishin qenë një nga një dhe se për aq sa i kujtohej vetura kishte qenë “Ford“ me targa të shteteve të jashtme.

Kurse pyetjes së përfaqësueses së palës së dëmtuar Albana Kelmendi se a mund ta përshkruante se si dukej personi që kishte gjuajtur me armë ai u përgjigj se personi që kishte gjuajtur kishte qenë rreth 40 vjeç, me flokë të zeza, por se nuk e mbante mirë në mend për shkak se ka pasur grumbull të njerëzve.

Në seancë dëshminë e dha edhe Behram Birnixhiku vëllai i të pandehurit.

Pyetjes së prokurorit se çfarë kishte bërë ai gjatë ditës kur është vrarë Valon Goxhuli prej mëngjesit e deri në mbrëmje, dëshmitari tregoi se për të ajo kishte qenë ditë e zakonshme sikur gjithë të tjerat.

Po ashtu dëshmitari shtoi se atë ditë ai me babanë dhe vëllezërit kishin punuar në një pllakë betoni dhe se Maliq Birinxhiku i kishte ndihmuar.

Pas pyetjes se prokurorit se ku kishte qenë i pandehuri Maliq Birinxhiku në kohën kur policia kishte shkuar në shtëpinë e tyre, dëshmitari tregoi se në atë kohë Maliqi kishte qenë ne disa ara pasi qe traktori i tyre kishte pas një problem.

Sipas dëshmitarëve Behram dhe Kasim Birinxhiku edhe pas kontrolleve të mëvonshme që kishte bërë policia në shtëpinë e tyre por edhe në arat ku kishte shkuar ditën e vrasjes Maliq Birinxhiku, policia nuk ishte takuar me tani të pandehurin.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “ Ford Fokus “ me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani të ndjerit plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku, ku i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kanë ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.