Gjykimi për rrahje | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për rrahjen në internet-kafe

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot nuk është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar kundër të akuzuarve Lirim dhe Bujar Behrami.

Arsyeja e mosmbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e Bujar Behramit, njërit nga të akuzuarit.

Në seancë ishin të pranishëm prokurori Ismet Ujkani, njëri nga të pandehurit Lirim Behrami, ndërsa mungonte i pandehuri tjetër Bujar Behrami.

Gjyqtari Tomisllav Petroviq njoftoi në gjykatë se i pandehuri ishte ftuar me ftesë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Petroviq, gjithashtu i njoftoi palët se nëse në seancën e radhës e cila është caktuar më 22 maj 2018, të pandehurit nuk paraqiten në seancë, gjykata do të ndërmarrë veprime për sigurimin e prezencës së tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë,  të akuzuarit Bujar Behrami dhe Lirim Behrami në maj të vitit 2017 në Vushtrri, në bashkëkryerje kanë shkaktuar lëndim të rëndë trupor me dëmtim të përkohshëm të shëndetit të të dëmtuarit Rrahman Latifi.

Tutje në aktakuzë thuhet se vepra është kryer në atë mënyrë që pasi të akuzuarit dhe i dëmtuari janë fjalosur, kanë nisur rrahjen në internet kafenë “Nex Net”.

Aktakuza sqaron se rrahja ka vazhduar edhe pas daljes nga internet-kafeja.

“Pasi i dëmtuari ka dalë nga Internet kafeja në rrugë, i pandehuri Lirim Behrami e ka goditur me kaçavidë në regjionin e shpatullës dhe regjionin e nënshpatullës së majtë, kurse i pandehuri Bujar Behrami me grushte dhe shqelma e ka goditur të dëmtuarin nëpër trup”, thuhet në aktakuzë.

Si rezultat i goditjeve të marra, sipas aktakuzës, i dëmtuari Latifi ka pësuar plagë shpuese, të cilat janë konstatuar si lëndime të rënda trupore.

Lirim dhe Bujar Behrami akuzohen se kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.