Shtyhet edhe Sot Gjykimi për Pronat në Çagllavicë

Shumica e avokatëve në gjykimin ndaj 23 personave për keqpërdorim pronash komunale thanë se nuk i kanë marrë nga prokurori të gjitha provat e aktakuzës.

Ata kërkuan që të pajisen me këto prova.

Prokurori tha se avokatët që kanë qenë të caktuar në këtë gjykim që nga ngritja e aktakuzës janë pajisur me prova, ndërsa sipas tij ata avokatë që kanë nisur mbrojtjen e të akuzuarve më vonë, nuk kanë qenë të interesuar t’i marrin provat, edhe pse prokurori tha se i ka ftuar.

Disa nga avokatët patën edhe një kërkesë tjetër. Thanë se procedura gjyqësore duhet të ndahet në dy pjesë- e para për mënyrën e fitimit të patundshmërisë dhe e dyta për blerjen dhe shitjen e patundshmërisë.

Sa i përket kërkesës për ndarje të procedurës prokurori tha se nuk do të deklarohet në këtë fazë.

Pas këtyre ankesave të avokatëve dhe pas marrjes së mendimit nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, gjyqtari i rastit mori aktvendim qe ta shtyjë seancën e sotme për 10 maj 2016 dhe avokatët brenda kësaj kohe duhet të pajisen me shkresat e kërkuara.

Pas ndërprerjes së kësaj seance avokati Asdren Hoxha për KALLXO.com fajësoi prokurorin pse seanca nuk u zhvillua.

“Kjo që ndodhi sot është si pasojë e mospërmbushjes së obligimit ligjor nga ana e Prokurorit Special të Republikës se Kosovës të sektorit të EULEX-it, pasi që ai i  është qasur me një neglizhencë kësaj çështje duke menduar se të gjithë avokatët do të shkojnë në zyrën e tij për t’i pranuar dosjet, por doli se disa nga ta nuk kanë shkuar dhe ky obligim nuk është përmbushur, kështu që gjyqtari e pa të arsyeshme që seancën ta shtyjë dhe të mos lexohet aktakuza, pasi që për ne do të ishte i papranueshëm leximi i aktakuzës duke mos i pasur para vetes të gjitha provat,” tha avokati Hoxha.

Këta 23 persona Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës i akuzon për krim të organizuar, nxjerrje dhe ndihmë e nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit në vazhdimësi, plaçkitje, falsifikim i dokumentit zyrtar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit në vazhdimësi dhe shpëlarje e parave në vazhdimësi.

Nga këta të akuzuar, Nexharije Hoti ishte gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, Reshat Fetahu shef në Departamentin Ligjor në AKP, Gani Ademi këshilltar ligjor i këtij departameti, Avni Maxhuni avokat, Isak Ademi noter, Albion Mulaku nëpunës në Bankën BKT, Xhabir Kajtazi përfaqësues ligjor në L.L.C. “Union” Sh.P.K.

Pjesë e këtij gjykimi janë edhe Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Shqipe Maxhuni , Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Lirim Zeka, Agim Jerlija, Gëzim Rama, Basri Beka, Hamit Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami dhe  Bajram Gashi.

Aktakuzat ndaj këtij grupi lidhen me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.

Bëhet fjalë për 36 hektarë toke komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

Seanca fillestare e këtij gjykimi nisi dje, por u shty ngase mungoi njëri nga të akuzuarit.

http://kallxo.com/gjykimi-per-keqperdorim-pronash-ne-cagllavice/