Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i zyrtarëve të Policisë, Gjykata aprovon marrëveshjen për pranim fajësie

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e të pandehurve Hamëz Bibaj dhe Mirsad Rexha, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur para Gjykatës marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë. Marrëveshja është lidhur më 25 maj 2018.

Prokurori Agron Matjani theksoi se pjesë e marrëveshjes është edhe obligimi i të akuzuarve që të bëjnë edhe kompensimin e palëve të tjera të dëmtuara: Destan Jupa, Kabir Shtavica, Edmond Mustafa dhe Veli Veliu.

Po ashtu, Matjani ceku se kjo marrëveshje është bërë në mënyrë të vullnetshme nga të akuzuarit dhe Prokuroria, andaj i propozoi Gjykatës që ta aprovojë.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani pyeti të akuzuarit se a mbeten pranë marrëveshjes së arritur dhe të njëjtit deklarohen se mbeten në tërësi pranë të gjithave pikave të marrëveshjes.

Pasi që edhe mbrojtësit e të akuzuarve Sahit Bibaj dhe Myhedin Bekeri nuk kishin ndonjë kundërshtim, Gjykata aprovoi marrëveshjen duke vazhduar kështu me rrjedhën e procedurës.

“Sipas marrëveshjes së arritur jemi dakorduar që për të akuzuarin Hamëz Bibaj, t’i shqiptohet dënim në kohëzgjatje prej 6 muajve, ku i njëjti dënim t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 800-1.000euro, ndërsa sa i përket të akuzuarit të dytë Mirsad Rexha, i cili akuzohet për ndihmën e kryerjes së veprës, t’i shqiptohet dënim në kohëzgjatje prej 4 muajve, i cili dënim të zëvendësohet me shumën 600-800euro”, deklaroj prokurori Agron Matjani.

Prokurori shton se në këtë marrëveshje të akuzuarit janë të obliguar t’i kompensojnë solidarisht të hollat që ju kanë marrë të dëmtuarve si dhe këto pagesa të bëhen në afat prej 3 muajve, meqenëse të njëjtit janë mbajtës të familjeve të tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mirsad Rexha, avokati Myhedin Bekeri, i propozoi Gjykatës që të merret parasysh gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij, i cili është diagnostikuar me Hepatitis B në mëlçi.

Sipas aktakuzës, Hamëz Bibaj në dhjetor të vitit 2016 e gjerë në muajin korrik të vitit 2017, në cilësinë e personit zyrtar ka punuar në zyrën për legalizimin e armëve pranë stacionin policor në Rahovec. Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kandidatëve që kanë aplikuar për t’u pajisur për leje të armëve, u ka kërkuar shuma të parave – të dëmtuarve.

Ndërsa i akuzuari Mirsad Rexha sipas aktakuzës në kohën dhe vendin e njëjtë, si mirëmbajtësi i objektit të stacionin policor në Rahovec, me dashje ka ndihmuar të akuzuarin Hamëz Bibaj, në atë mënyrë që ka qenë i angazhuar nga komandanti i stacionit policor për futjen e të dhënave në databazë për aplikuesit e armëve dhe ka kërkuar para së bashku me të akuzuarin e parë.

Në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit Sokol Neziri, Sezai Hamza dhe Dardan Nurshaba.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër duke filluar nga ora 8:50.