Gjykimi i Ragip Begajt, Refuzohet Kërkesa e Mbrojtjes

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë sot është mbajtur shqyrtimi i dytë kundër  kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, i cili akuzohet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës i pandehuri Ragip Begaj gjatë muajve qershor-gusht të vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar, ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Në shqyrtimin fillestar, në janar, Begaj nuk e pranoi fajësinë.

Në seancën e sotme, Emrush Kastrati, avokati i të akuzuarit Begaj deklaroi se mbetet pranë pretendimeve të parashtruara me shkrim me parashtresën e dorëzuar në Gjykatë dhe shtoi se kjo çështje nuk është e karakterit penal, duke kërkuar pushimin e kësaj procedure.

“Potencojmë se këtu nuk kemi të bëjmë me çështje penale por kemi të bëjmë me karakter juridiko-civil. Prandaj, kryetarit të trupit gjykues i propozoj që aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ta hedhë dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të mbrojturit tim”, ka kërkuar avokati Kastrati. [interaction id=”56cb3f4a8f0287d70a5f0377″]

Ndërsa, prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj, e kundërshtoi avokatin duke thënë se kundërshtimi i provave të aktakuzës nuk ka mbështetje, pasi që veprimet e përshkruara në aktakuzë e formësojnë veprën penale.

“Në dispozitivin e aktakuzës janë përshkruar veprimet e të pandehurit, në të cilat formësohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet”, tha prokurori.

Në fund, Gjykata refuzoi kërkesën e avokatit Kastrati për hedhjen poshtë të aktakuzës.

”Me qenë se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hedhje të aktakuzës, provat që janë bashkangjitur aktakuzës nga ana e prokurorisë janë të pranueshme dhe qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor”, deklaroi gjyqtari Shaqir Zika.

“Ndaj këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej pesë ditëve pas marrjes së këtij aktvendimi. Ankesa ushtrohet në  Gjykatës së Apelit në Prishtinë nëpërmjet kësaj gjykate. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi do caktohet shqyrtimi kryesor”, theksoi gjykatësi.

KALLXO.com ka raportuar edhe në ditën kur është ngritur aktakuza kundër kryetarit Begaj, më 17.12.2015.

http://kallxo.com/aktakuze-per-keqperdorim-detyre-ndaj-ragip-begajt/