
Sulmi ndaj Gazetarit Taulant Osmani
Gjykata Vendosi për të Dyshuarin për Sulm Ndaj Gazetarit të KALLXO.com
Gjykata Themelore e Gjilanit ka vendosur që personit me inicialet M.N., i cili dyshohet se e ka sulmuar, fyer e kërcënuar gazetarin e KALLXO.com, Taulant Osmani, t’i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Sipas zyrtarit për informim të Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, prokuroria ka kërkuar që për të dyshuarin të merret masa e arrestit shtëpiak.
Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore.
“Kërkesa e Prokurorisë Themelore te Gjilanit ka qenë masa e arrestit shtëpiak. Është refuzuar kërkesa e prokurorisë, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit te caktuar”, tha Shkodra.
Kryeprokurori, Jetish Maloku, pak orë më parë tha për KALLXO se do të kërkohet masë e paraburgimit ndërsa shtoi se janë duke kërkuar edhe personin e dytë të involvuar në këtë rast, pasi që ky i fundit është në arrati.
Ai shtoi se në momentin që të zbulohet vendndodhja e tij, i dyshuari i dytë do arrestohet dhe do të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Sulmi ndaj gazetarit Taulant Osmani qe dënuar të shtunën nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
http://kallxo.com/agk-kerkon-te-hetohet-sulmi-ndaj-taulant-osmanit/
http://kallxo.com/lutfi-haziri-denon-sulmin-ndaj-taulant-osmanit/